Tri ndeshje interesante në Superligë, spikat derbi Llapi-Gjilani
Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot edhe me tri ndeshje interesante në kuadër të xhiros së 16-të në elitë.
Dueli kryesor i kësaj jave zhvillohet në Merdare, atje ku ekipi në topformë, Llapi do ta presë liderin e Superligës, Gjilanin.
Ekipi i Batatinës ka katër fitore radhazi në Superligë dhe me fitore sot do të hynte seriozisht në garë për titull të kampionit
Ky takim nis nga ora 13:30, ndërsa dy takimet tjera fillojnë gjysmë ore më herët.
Ndeshja tjetër që zhvillohet sot është ajo mes Feronikelit dhe Ballkanit.
Suharekasit e humbën vendin e parë në tabelë para dy xhirove dhe do të tentojnë të rikthehen aty ku ishin, teksa momentalisht kanë një pikë më pak se Gjilani.
Feronikeli në anën tjetër gjendet buzë greminës, pasi ndodhet në vendin e fundit dhe shumë pranë largimit nga elita e futbollit kosovar. Kujtojmë se në sezonin 2018/19, Feronikeli ishte shpallur kampion i Kosovës.
Ndeshja e tretë qqë luhet sot është ajo mes Drenicës dhe Malishevës.
Drenicasit e nisën mirë sezonin, por tani kanë regjistruar katër humbje radhazi dhe rrezikojnë edhe mbijetesën.
Në anën tjetër, Malisheva pati formë të mirë në fillim, por tani gjendet në vendin e parafundit në renditjen tabelare.
(Kosova Sot Online)