Xhaka i paralajmëron bashkëlojtarët

  • A.P /
  • 16 December 2021 - 15:24
Xhaka i paralajmëron bashkëlojtarët

Granit Xhaka i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e vet te Arsenali se duhet patjetër të jenë më të mençur dhe më të fortë në ndeshjet në udhëtim, nëse duan ta sigurojnë një vend në top katërshe të Premierligës.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Xhaka luajti 90 minuta të plotë për t’i ndihmuar Arsenalit ta mposhtë 2:0 West Hamin dhe ta kalojë atë në vendin e katërt në tabelë.

Grabriele Martinelli e kaloi Arsenalin në epërsi në minutën e 48-të, para se Smith Rowe ta dyfishonte epërsinë dhe ta vuloste fitoren e skuadrës së Mikel Artetës në minutën e 87-të.

West Hami luajti me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të pjesës së dytë, pas përjashtimit nga fusha të Coufal me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 67-të.

“Ne po luajmë shumë, shumë më mirë në shtëpi, por nëse duam të jemi në top katërshe, atëherë duhet të fitojmë dhe duhet t’i fitojmë pikët në udhëtim”, tha Xhaka për Sadium Astro.

“Shpresojmë se do ta nisim nga kjo e shtune kundër Leeds. Por, po, ne duhet të përmirësohemi dhe të jemi më të mençur dhe më të qëndrueshëm. Nuk mund ta bëjmë lojën e njëjtë gjithmonë në shtëpi dhe jashtë. Duhet të jemi më të mençur duke nisur nga lojtarët me më përvojë deri tek të rinjtë”, shtoi Xhaka.

Xhaka i ka bërë vetëm tetë paraqitje në të gjitha garat këtë sezon dhe ende është në kërkim të golit të parë sezonal.

Ai mungoi tetë ndeshje shkaku i lëndimit të ligamentit të gjurit dhe dy ndeshje të tjera ishte i pezulluar pas kartonit të kuq. 


(Kosova Sot Online)