Lexoni edhe:
Tifozët e Interit dhe të Romës e falënderojnë Mourinhon, ata të Milanit e urrejnë VAR-in
Amir Rrahmani është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serie A nga WhoScored.com, uebsajti më i madh në botë për statistika të futbollit.
Kapiteni i Kosovës Rrahmani luajti rol të rëndësishëm në fitoren e Napolit 1:0 kundër Milanit të dielën në San Siro, në përballjen e drejtpërdrejt të dy skuadrave në luftë për titull në Serie A.
Qendërmbrojtësi prishtinas ishte kyç në mbrojtjen e Napolit dhe i ndihmuar nga Juan Jesus u përkujdes që Davide Ospina të mos pësonte gol.
Në mungesë të Kalidou Koulibaly, Rrahmani ishte komandanti i mbrojtjes napolitane dhe disa ndërhyrje të tij ndaj dyshes Zlatan Ibrahimovic dhe Olivier Giroud ishin vendimtare.
Whoscored.com i ka dhënë 27-vjeçarit notën 8.1 dhe e ka përzgjedhur në një mbrojtje me katër, përkrah Juan Cuadrados së Juventusit dhe dyshes së Interit Danilo D’Ambroasio dhe Ivan Perisic, në formacionin e javës së 18-të.
Rrahmani i ka bërë 15 paraqitje deri tani këtë sezon në Serie A, duke kontribuuar edhe me dy gola.
Kosovari ia zuri vendin në formacionin titullar Kostas Manolasit dhe e detyroi atë të kthehej në Greqi së fundmi, duke e formuar një partneritet të pathyeshëm me Kalidou Koulibaly.
Napoli kishte lëshuar pikë në katër prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i humbur tri prej tyre, prandaj fitorja ndaj rivalit direkt për titull ishte me patjetër për skuadrën e Luciano Spallettit.
Këto tri pikët nënkuptojnë se Napoli tani e kalon Milanin në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta, 39, por ngel katër pikë mbrapa liderit dhe kampionit në fuqi Inter.
(Kosova Sot Online)