Shaqiri pas golit me kokë: Edhe unë u çudita me veten

  • 02 February 2022 - 10:43
Shaqiri pas golit me kokë: Edhe unë u çudita me veten

Xherdan Shaqiri ka thënë se e ka befasuar edhe veten me golin që e shënoi me kokë në fitoren e Lyonit kundër Marseille të martën në Ligue 1.Anësori shqiptar i Zvicrës Shaqiri shkëlqeu në një ndër ndeshjet e tij të rralla si titullar kohëve të fundit, duke shënuar një gol dhe duke e përgatitur një tjetër në fitoren e mundimshme të Lyonit 2:1 ndaj Marseilles në stadiumin Groupama. 

Shaqiri i ka bërë vetëm 11 paraqitje në Ligue 1 për Lyonin që prej se iu bashkua gjigantit francez nga Liverpooli për 6 milionë euro në verë. 29-vjeçari e barazoi rezultatin për vendasit në minutën e 76-të duke shënuar me kokë si rrallë herë, pasi Guendouzi i kishte kaluar vizitorët në epërsi herët në pjesën e parë, para se ta përgatiste golin e triumfit të shënuar nga Dembele në minutën e 89-të. Ai nuk kishte luajtur titullar në ligë që prej fillimit të dhjetorit dhe në mungesë të shumë lojtarëve kyç, Shaqiri doli në skenë kur iu desh Lyonit më së shumti. Duke folur pas ndeshjes për mediat franceze, Shaqiri tha: “Është e jashtëzakonshme ajo çfarë bëri ekipi sonte. Shumë lojtarë munguan, të lënduar. Jam krenar me ekipin. Jam shumë i lumtur me paraqitjen dhe shumë i lumtur me këtë ekip”. “Është gol i rëndësishëm me kokë. Edhe unë jam i habitur (qesh). Harkimi ishte shumë i mirë nga Malo. Ne punojmë shpesh për këtë në stërvitje. Jam i lumtur me shënimin e këtij goli”, shtoi ai. Shaqiri i ka dy gola dhe dy asiste në 11 paraqitje në ligën franceze deri tani këtë sezon.

(Kosova Sot Online )