Xhaka bën një tjetër reagim të fuqishëm

  • A.P /
  • 04 March 2022 - 16:57
Xhaka bën një tjetër reagim të fuqishëm

Granit Xhaka ka folur për disa nga abuzimet në internet që ka marrë kohëve të fundit. Pavarësisht tyre, mesfushori nga Kosova është zotuar që s’do të largohet kurrë nga Arsenali për shkak të urrejtjes që ai merr në rrjetet sociale.

Reprezentuesi i Zvicrës ka këmbëngulur se ai kurrë nuk do të lejojë që reagimet negative në internet ta detyrojnë atë të largohet nga “Emirates”.

Prishtinasi ka treguar se ai dhe familja e tij kanë qenë në qendër të sulmeve nga tifozët në rrjetet sociale.

“Unë i them gjithmonë vetes: ‘I vetmi që mund të më ndalojë jam unë’. Sigurisht, lëndimet dhe gjëra të tilla mund t’ju ndalojnë gjithashtu, por askush nuk mund të më ndalojë mua, jo njerëzit jashtë. Kjo është arsyeja pse në kokën time jam kaq i fortë. Unë këtë gjithmonë ia them edhe vetes. Unë vendos kur të largohem, askush tjetër, jo tifozët, jo njerëzit”, është shprehur ish-futbollisti i Baselit e Borussia Monchengladbachit.

“Kur të mos jem gati, do të largohem. Për sa kohë të jem gati dhe të ndihem mirë, dhe të ndihem se mund të ndihmoj ekipin, do të jem këtu. Por për shkak të njerëzve? Për shkak të një mesazhi të keq? Për shkak të gjërat e këqija që po bëjnë, duke folur dhe shkruar? Nuk ka gjasa. E vetmja gjë është nëse i sheh njerëzit ballë për ballë, nuk do të thonë kurrë diçka të keqe, kjo është ajo që më mërzit”, shtoi kapiteni i Zvicrës.

“Unë jam marrë me këtë profesion që në moshën 17-vjeçare, por kam një ndjenjë që abuzimi për momentin duket sikur është normal. Për mua, kjo nuk i ndihmon askujt dhe mendoj se kjo është diçka që ne mund ta përmirësojmë shumë”, ka deklaruar 29-vjeçari.

Kujtojmë se Granit Xhaka është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016, teksa ka kontratë të vlefshme me “Topçinjtë” deri më 30 qershor 2024. 

(Kosova Sot Online)