Lexoni edhe:
‘Ju kapën mbi 38 mijë kg mish me afat të skaduar, oligarku Ramiz Kelmendi e ka vendin në burg’
Gresa Bakraqi e pati një eksperiencë të pazakontë në Serbi, ku e përfaqësoi Kosovën në Kampionatin Botëror të sallës në Atletikë.
Serbët, si organizatorë, u munduan ta diskriminonin në të gjitha format garuesen kosovare, e cila mori pjesë në garën e vrapimit 1500 metra, duke përfunduar në vendin e 17-të nga 19 garuese.
Sidoqoftë, rezultati doli në plan të dytë në krahasim me atë që e përjetoi 26 vjeçarja në Beograd.
Ajo e ka përshkruar si të tmerrshme përvojën atje. “Është e turpshme gjithçka që u munduan të bënin organizatorët. Ata u munduan t’i fshihnin inicialet e vendit tim në fanellën time. U ndjeva e diskriminuar dhe kërkova tretman të njëjtë me garuesit tjerë”, deklaroi atletja kosovare për “Apel”.
“Disa gazetarë dëshironin të flisnin me mua, por sigurimi dhe policia, të cilët në mënyrë konstante po më përcillnin dhe ndiqnin, nuk i lejuan ata të më afroheshin. Sidoqoftë, nuk kisha probleme të tjera”, vazhdoi garuesja kosovare.
Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në një garë ndërkombëtare që mbahet në Serbi, ndërsa në të kaluarën kosovarët i kanë humbur shumë gara që janë mbajtur në vendin fqinj pasi nuk janë lejuar të merrnin pjesë ose kanë vënë kushte që s’janë pranuar nga pala kosovare. Në Botërorin e fundit të Atletikës, Federata Ndërkombëtare e Atletikës e bëri një skandal duke mos e prezantuar flamurin e Kosovës në prezantimin e garueses sonë, por vetëm inicialet e shtetit.
Njëjtë veproi edhe regjia serbe, ashtu siç pritej.
(Kosova Sot Online )