Usyk e lë luftën në Ukrainë, bëhet gati për të luftuar me Joshuan

  • A.P /
  • 23 March 2022 - 15:07
Usyk e lë luftën në Ukrainë, bëhet gati për të luftuar me Joshuan

Oleksandr Usyk e ka lënë luftën në Ukrainë për t’iu përkushtuar profesionit të tij.

Kampioni i botës në peshat e rënda i ishte bashkuar ushtrisë ukrainase në mbrojtje të atdheut nga agresori rus.

Por, ai ka përfunduar në Poloni ku ka shkuar për t’u përgatitur sa më mirë për përballjen e radhës me Anthony Joshuan, shkruan mediumi britanik “Daily Mail”

Bëhet e ditur se dy boksierët mund ta zhvillojnë meçin e dytë në mes tyre në muajin qershor të këtij viti pasi Usyk hoqi dorë nga vija e parë e frontit.

Ukrainasi bëri sensacion vitin e kaluar kur e mposhti Joshuan për t’ia rrëmbyer atij brezat e artë në versionet WBA, IBF, WBO e IBO në “Tottenham Hotspur Stadium”.

Atij iu dha drita e gjelbër të largohej nga vendi nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës.

Joshua e ka shfrytëzuar klauzolën e rimeçit, e cila cekej në kontratën e tyre.

Tash, Usyk pret të bëhet gati për mbrojtjen e parë të titullit botëror në Londër, respektivisht në “Wembley Stadium”.

Usyk iu bashkua mbrojtjes territoriale të Kievit kur Rusia e nisi sulmin ushtarak në Ukrainë, shkruan “Gazeta Express”.

Edhe pse meshkujt nga 18 deri në 60 vjeç nuk lejohen të largohen nga vendi, 35 vjeçarit iu dha një leje e veçantë për t’u larguar pasi u konsiderua se ky vendim është në interes nacional.

Njëjtë ka mundur të vepronte edhe ish-kampioni i dyfishtë botëror Vasyl Lomachenko, por ai vendosi të qëndrojë dhe të luftojë para se të shkojë në Australi për t’u përballur muajin tjetër me George Kambosos Jr. 

(Kosova Sot Online)