Lexoni edhe:
Çka do të ndodh me dialogun pas rizgjedhjes së Vuçiqit si president i Serbisë
Qysh para një muaji Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në krye me kryetarin Agim Ademi, thirri Kuvendin Zgjedhor për 6 prill, ndonëse Ademit mandati i skadon në korrik. Kjo shkaktoi rrëmujë të madhe sikurse pakënaqësi të shumta. E ashtuquajtura “Opozitë e FFK-së” prej javësh e ka kontestuar këtë Kuvend, duke e quajtur të “kurdisur” nga Agim Ademi, i cili synon ta marrë edhe një mandat tjetër, që me shumë gjasë do t’i kontestohet njësoj siç i është kontestuar mandati i parë. Kjo pasi përpos “Opozitës së FFK-së”, edhe Departamenti Ligjor i MKRS-së e ka dhënë një opinion ligjor, përmes së cilit ka konstatuar shkelje të shumta të Ligjit të Sportit dhe Statutit të FFK-së duke e thirr këtë Kuvend për 6 prill. Sidoqoftë, FFK-ja e Ademit me vendosmëri e ka pritur 6 prillin për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku në fakt delegatët nuk do të kenë se çfarë të zgjedhin. Veç Agim Ademin do ta kenë në opsion, pasi FFK-ja e ka refuzuar aplikimin e Gramoz Vokrrit, i cili pastaj u ankua në gjykatë, por ankesa e tij u refuzua dje. Me këtë rast, FFK-ja lëshoi deklaratë duke thënë se ligjshmërinë e Kuvendit të 6 prillit tashmë e vërtetoi gjykata. Por, ish sekretari gjeneral i FFK-së, juristi Eroll Salihu, tha për medie se gjykata ka vendosur për nënshkrimet e kandidimit të Gramoz Vokrrit, e jo për Kuvend, i cili sipas Salihut mbetet i paligjshëm dhe jo statutor, me shkelje enorme.
Sidoqoftë, FFK-ja nesër do ta mbajë Kuvendin e saj, që vetë e konsideron “ligjor”, e nga jashtë “joligjor”.
Agim Ademi do të jetë kandidat i vetëm për kryetar, ani pse Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) para disa javësh i kishte bërë thirrje Agim Ademit të mos e bllokojë garën dhe t’i respektojë të drejtat e të tjerëve për kandidim.
Por, në dallim prej para katër vjetësh, kur Ademi ishte zgjedhur kryetar si pasues i Fadil Vokrrit të ndjerë, delegatët ishin unanim dhe tepër të bashkuar rreth tij.
Kësaj here, një grup i madh delegatësh i është kthyer në kundërshtim. Ata qe një kohë publikisht e kanë shpreh vullnetin e largimit të Agim Ademit, i cili në mesin e përkrahësve aktual, i ka edhe disa ish kundërshtarë, të cilët në krye me Tahir Batatinën bënin orvatje për ta rrëzuar Ademin, njeriun që do ta votojnë të mërkurën. Drejtuesit e këtyre klubeve të pakënaqura me Agim Ademin po zhvillojnë takime të njëpasnjëshme dhe një të tillë do ta zhvillojnë edhe nesër para mbajtjes së Kuvendit, edhe pse për momentin nuk e dinë as vendin e as kohën e mbajtjes së tij, e ka klube që ende nuk e kanë marrë materialin e Kuvendit Zgjedhor.
Çka do të ndodh me dialogun pas rizgjedhjes së Vuçiqit si president i SerbisëLexoni edhe:
“Ne kemi takime të shpeshta në mes të klubeve të pakënaqura dhe do të mblidhemi edhe nesër para Kuvendit dhe të vendosim se çka të bëjmë. Patjetër që do të shkojmë në Kuvend, edhe pse ai është i jashtëligjshëm. Por, ta shohim situatën se si do të rrjedhë në momentet e fundit. Bashkërisht me klubet tjera që mendojnë ndryshe do të vendosim. Me to jemi duke punuar non-stop, për t’i evidentuar shkeljet që po ndodhin”, u shpreh për “Gazetën Express” drejtori i Dritës, Valon Zymberi. Zeka: Nuk marr pjesë në Kuvend, është i parregullt. Ndërkohë, Abedin Zeka, kryetar i Trepçës ’89 është i prerë sa i përket Kuvendit Zgjedhor. Ai është i vendosur për të mos marrë pjesë në këtë Kuvend, të cilin e konsideron të parregullt dhe me plot e përplot shkelje. “Unë nuk do të jem nesër pjesë e Kuvendit Zgjedhor. Mendoj se është një Kuvend i parregullt, prandaj edhe do ta bojkotoj. Besoj që të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe klubet tjera që kanë qenë për kandidaturën e Gramoz Vokrrit”, tha fillimisht kreu i klubit mitrovicas. “Kryetari aktual sikur është frikësuar pasi ka vendosur për ta mbajtur Kuvendin para kohe. Klubet kanë marrë premtime të mëdha në këmbim të nënshkrimeve dhe votave. Ne jemi dëmtuar pasi që, nëse do të mbahej në korrik, ne si klub do t’i kishim dy vota pasi 90 për qind jemi në Superligë”, shton ai, duke i numëruar edhe parregullsitë tjera të Kuvendit.
“Më 2 mars është vendosur për Kuvend dhe kandidatëve të tjerë u janë dhënë vetëm katër ditë afat për t’i mbledh nënshkrimet. Kjo nuk ndodh askund. Në shtetet demokratike lejohet pjesëmarrja e 3-4 kandidatëve, ndërsa këtu iu bllokohet atyre kandidatura. Edhe po të jetë mundësia, nuk duhet të bllokohet kandidatura. Është mëkat që djalit të legjendës Fadil Vokrri t’i mohohet e drejta e kandidimit”, nënvizoi tutje Zeka. Edhe ai e konfirmoi takimin në mes të klubeve të pakënaqura para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, ku do të diskutohen parregullsitë në futbollin kosovar dhe dëmet që po ju bëhen klubeve.
(Kosova Sot Online )