Lexoni edhe:
Për korrigjimin e listave të fryra të veteranëve të luftës të formohet komision i ri me pikënisje nga pozita zero
Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk ka qenë kurrë më i përfolur dhe më i kontestuar.
Ai do të mbahet sot, duke filluar nga ora 11:00 në selinë e FFK-së në Prishtinë.
Agim Ademi është kandidati i vetëm për kryetar pasi i siguroi pjesën dërrmuese të nënshkrimeve, me ç’rast nuk iu la vend kandidimit pretendentëve të tjerë, të cilët nuk u treguan të aftë për t’i siguruar 15 nënshkrimet e nevojshme për kandidim.
Me këtë rast, kreu aktual i FFK-së do ta marrë edhe një mandat katërvjeçar, të dytin për të, shkruan “Gazeta Express”.
Natyrisht, atij i nevojiten 2/3 e delegatëve në Kuvendin e sotëm, të paralajmëruar vetëm një muaj më parë.
Për dallim nga mandati i parë, kur e kishte përkrahjen e shumicës, këtë radhë Ademi është përballur me një opozitë të fortë, fillimisht të ndarë e më pas të bashkuar, e cila e konsideron si të parregullt dhe të paligjshëm këtë Kuvend Zgjedhor.
Sidoqoftë, përkundër përpjekjeve, këto klube që mendojnë ndryshe nuk ia dolën ta shtynin Kuvendin, i cili me rregull është dashur të mbahet në muajin korrik, kur edhe do të plotësoheshin katër vjet të mandatit të Ademit në krye të këtij institucioni.
Klubet opozitare nuk dihet nëse do të marrin pjesë në Kuvend.
Ato do të mblidhen sot edhe një herë dhe do të vendosin përfundimisht.
Gramoz Vokrri iu mohua e drejta e kandidimit pasi FFK-ja konsideroi se disa prej nënshkrimeve i kishte të pavlefshme.
Sidoqoftë, i biri i legjendës Fadil Vokrri, si prijës i klubeve opozitare, shpreson që sot të mos ketë delegatë të mjaftueshëm për konfirmimin për një mandat tjetër të Ademit.
Nëse opozita merr pjesë në Kuvend, sigurisht se mund të ketë përplasje fjalësh në mes të palëve.
E në mes ankesash, lëvdatash, akuzash, përleshjesh e deri tek gjykata e mbajtja në polici, Agim Ademi sot pritet megjithatë ta fitojë edhe një mandat në krye të FFK-së.
(Kosova Sot Online )