Ancelotti: S’e kemi fituar ende titullin, por…

  • 18 April 2022 - 10:46
Ancelotti: S’e kemi fituar ende titullin, por…

Carlo Ancelotti e shijoi në maksimum fitoren e mbrëmshme të Real Madridit me përmbysje ndaj Sevillës. “Los Blancos” po humbisnin 0:2, por në fund fituan 3:2 pas një rikthimi sensacional. Golat e Rakitic e Lamela “u shkrinë” nga Rodrygo, Nacho dhe Benzema. Dhe, kjo fitore i afroi “Mbretërit” me titullin e kampionit në La Liga. Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri Carlo Ancelotti, por që thotë se Realin e pret ende punë para se të festojë.

“Është një fitore mjaft e rëndësishme. Pas një pjese të parë mjaft të shëmtuar, pjesa e dytë ishte spektakolare. Në fillim dukeshim të lodhur pas angazhimit në Champions, më pas e kishim një reagim mjaft të fortë me kurajë, personalitet dhe dëshirë për të fituar. Këtë pjesë të dytë do ta paketoj dhe do ta ruaj, ishte një angazhim i përgjithshëm për mbamendje. Kjo skuadër është në gjendje të bëjë gjëra speciale. U rikthyem pas disavantazhit prej dy golash”, deklaroi trajneri italian. “Reali ka zemër dhe kualitet. Nuk e kemi fituar ende titullin, por sigurisht ia kemi dhënë një sinjal të fortë La Ligas”, vazhdoi Ancelotti. Ai foli edhe për referimin, duke thënë se Vinicius i ka thënë se nuk e ka prekur topin me dorë dhe se ai i beson brazilianit.

(Kosova Sot Online )