Norwichi e merr vendimin final për Rashicën

  • 03 May 2022 - 10:09
Norwichi e merr vendimin final për Rashicën

Norwich City nuk arriti të mbijetojë në Premierligë dhe sezonin e ardhshëm do të garojë në Championshipin anglez. Kjo nënkupton se yjet e klubit nuk do të qëndrojnë aty për të luajtur në një nivel më të ulët garash, shkruan “teamtalk.com”. Rast konkret është edhe Milot Rashica, i cili pritet të largohet nga klubi verdh e gjelbër gjatë verës që vjen. Dhe, mediumi anglez shkruan se Norwichi tash e tutje do të presë oferta për përfaqësuesin kosovar pasi ka vendosur përfundimisht ta shesë 25 vjeçarin.

Rashica i ka zhvilluar 28 ndeshje deri tash me klubin anglez dhe e ka realizuar vetëm një gol deri tash. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2025, por Norwichi do ta shesë ish-futbollistin e Werder Bremenit për të bërë sadopak para për ta tentuar rikthimin e menjëhershëm në Premierligë. Rashica është blerje rekorde e Norwichit dhe ky klub do të mundohet të nxjerrë sa më shumë para nga shitja e futbollistit ofanziv. Miloti ishte i pafat në dy sezonet e fundit pasi skuadrat ku luajti ai ranë nga liga, vjet Werderi e sivjet Norwichi. 

(Kosova Sot Online )