Lexoni edhe:
Rizgjimi i strukturave paralele serbe rrezikon seriozisht stabilitetin e shtetit të Kosovës
Klubet evropiane janë vënë në gjah për ta transferuar Vedat Muriqin. Sulmuesi kosovar shkëlqeu në gjysmë sezonin e fundit në La Liga, ku i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime me Mallorcan, të cilën e shpëtoi pa rënë nga liga. E tash, 28 vjeçari është rikthyer në Lazio, e cila e ka pronësinë e kartonit të tij. “Biancocelesti” i kërkojnë 12 milionë euro për prizrenasin dhe klubi spanjoll nuk është i gatshëm ta paguajë këtë shifër. Për këtë arsye, italianët po kërkojnë pista të tjera për ish-futbollistin e Rizesportit dhe të Fenerbahçes. Mediat turke raportojnë se në garë për Muriqin fuqishëm është futur Galatasaray.
“Aspor” shkruan se presidenti i ri i klubit, Dursun Ozbek “e ka lëshuar dorën” dhe është i gatshëm t’i ofrojë plot 16 milionë euro për kartonin e përfaqësuesit kosovar.
Natyrisht, Lazio do të ishte e stërkënaqur me këtë shifër dhe do ta shiste lojtarin pa menduar dy herë.
Por, në fund mbetet të shihet edhe se cili është disponimi i lojtarit, se ku preferon të luajë ai më shumë.
Muriqi ka dëshpëruar në eksperiencën e tij në Itali ku i ka realizuar vetëm 2 gola për një vit e gjysmë në Romë.
Andaj, e ardhmja e tij mund të jetë e lidhur me futbollin spanjoll ose me atë turk.
Në dy javët e fundit ai ishte i angazhuar me Kombëtaren e Kosovës, ndërsa pasi të kthehet në Itali do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij.
(Kosova Sot Online )