Origi sot do t’i kryejë vizitat mjekësore dhe do të bëhet lojtar i ri i Milanit
Divock Origi ka zbarkuar dje në Itali.
Ndërsa sot, mediat e atjeshme e kanë postuar një video në rrjetet sociale, përmes së cilës shihet sulmuesi belg teksa hipte në veturë dhe u drejtohet zyrave të klubit.
Futbollisti i deritashëm i Liverpoolit do t’i kryejë sot vizitat mjekësore me “Rossoneri” dhe më pas do ta nënshkruajë kontratën disavjeçare,.
27 vjeçari u nda me “Reds” pasi i skadon kontrata këtë javë dhe palët nuk e gjetën gjuhën e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit.
Dhe, përfaqësuesi belg vendosi t’i bashkohet kampionit aktual italian.
Origi do ta ketë konkurrencën e Olivier Giroud për një vend titullari tek Kuqezinjtë, në pritje të Zlatan Ibrahimovicit, i cili do të rikthehet në fund të vitit, nëse e vazhdon bashkëpunimin me Milanin.
Origi ka përfunduar shpesh në bankinë në “Anfield Road”, por ka ditur të jetë lojtar i rëndësishëm kur i është dhënë rasti nga trajneri Jurgen Klopp.
(Kosova Sot Online)