Muriqi do të ushtrojë i vetëm për dy javë dhe më pas do t’i kryejë prapë vizitat mjekësore

  • E. /
  • 12 July 2022 - 10:39
Muriqi do të ushtrojë i vetëm për dy javë dhe më pas do t’i kryejë prapë vizitat mjekësore

Nuk ka rehati për Vedat Muriqin.

E ardhmja e sulmuesit kosovar ka mbetur pezull shkaku i gjendjes së tij fizike.

28 vjeçari nuk arriti t’i kalonte vizitat mjekësore në Club Brugge ditë më parë.

Kjo bëri që klubi belg të tërhiqet, duke kërkuar që ta marrë lojtarin në formë huazimi ose ta blejë atë më lirë.

Megjithatë, prizrenasi i kaloi me sukses dje vizitat mjekësore tek klubi i tij – Lazio.

Por, ende s’ka marrë fund asgjë për përfaqësuesin kosovar.

Ish-futbollisti i Rizesporit dhe i Fenerbahçes duhet t’i nënshtrohet edhe një vizite mjekësore pas dy javësh.

Në ndërkohë, Muriqi do të ushtrojë i vetëm në këtë periudhë pasi nuk do t’i bashkohet ekipit të Lazios në qendrën stërvitore Formello.

E pas dy javësh, Vedati mund ta ketë një tjetër mundësi për t’iu bashkuar belgëve të Club Brugge.

Interesim për sulmuesin kosovar kanë shfaqur edhe Mallorca në Spanjë, Hull City në Angli dhe Galatasaraty e Fenerbahçe në Turqi. 

(Kosova Sot Online)