Ballkani do ta kërkojë sonte biletën e kualifikimit në fazën tjetër të Conference League
Ballkani do ta kërkojë sot konfirmimin për të kaluar në rrethin e tretë kualifikues të Conference Leagues.
Kampioni i Kosovës është një hap larg kualifikimit dhe kalimit tutje nga rrethi i dytë pasi e ka kryer pjesën më të madhe të punës në lojën e parë.
Therandasit e kanë mundur ekipin e pafuqishëm nga San Marino, La Fiorita me rezultat 4:0 në udhëtim.
Prandaj, ekipi nga Suhareka nuk pritet të has në telashe as në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ekipi Portokalli e ka ndërmend ta respektojë kundërshtarin, i cili megjithatë duket se ka ardhur me flamur të bardhë në Prishtinë pasi i ka disa mungesa.
Katër lojtarë nuk kanë udhëtuar fare me ekipin pasi zgjodhën të punojnë në atdhe, para se të vijnë të luajnë futboll në Kosovë.
Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe La Fioritas do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.
Kjo është hera e parë në histori të Ballkanit që po merr pjesë në garat evropiane, shkruan “Gazeta Express”.
Therandasit u eliminuan nga Zalgirisi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe më pas përfunduan në rrethin e dytë kualifikues të Conference Leagues.
E në rrethin e tretë të kësaj gare, nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, Ballkani do të luajë me fituesin e duelit Sutjeska nga Mali i Zi dhe Klaksvik nga Ishujt Faro.
(Kosova Sot Online )