Mediumi belg shkruan rreth transferimit të Arbnor Mujës te Antwerpi
Arbnor Muja është rrugës për t’u transferuar te Antwerpi, skuadër e cila e eliminoi Dritën në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Për këtë lëvizje ka raportuar këtë të premte edhe “Het Nieuwsbald”.
Sipas mediumit belg, drejtori teknik i Antwerpit, Marc Overmars, është afër kompletimit të transferimit të Mujës, i cili thuhet se ka lënë përshtypje me paraqitjet e tij.
Tutje, në këtë raportim thuhet se bordi i klubit të Dritës ka njoftuar pas ndeshjes të së enjten se është duke u bërë një marrëveshje me Anterpin për sulmuesin mitrovicas.
Arbnor Muja te skuadra e drejtuar nga Marc van Bommel shihet si zëvendësues i Manuel Benson, i cili ishte asistues te goli i parë në fitoren 2:0 të Antwerpit ndaj Dritës në “Fadil Vokrri”.
Benson është duke u kërkuar nga Burnley dhe një marrëveshje pritet të mbyllet së shpejti.
Antwerpi deri më tani është përforcuar me nëntë futbollistë, përfshirë edhe dyshen e njohur Vincent Janssen e Toby Alderweireld, teksa këtë sezon synohet fitimi i titullit të kampionit.
Arbnor Muja është pjesë e Dritës nga viti 2021 dhe kontrata e tij skadon më 30 qershor 2024. Në sezonin e tij debutues, ai shënoi 8 gola dhe 10 asistime në 31 ndeshje.
23-vjeçari më herët ka luajtur te Trepça, Trepça ’89, Eintracht Braunschweig dhe Skënderbeu.
(Kosova Sot Online )