Lexoni edhe:
Realizimi rreth 50% e planit 6 mujor të Qeverisë në një situatë plotë me sfida është për tu vlerësuar dhe jo për tu kritikuar
Sulmuesi Vedat Muriqi, ka plane të mëdha për të ardhmen e tij te Mallorca, pasi ai e ka pranuar se dëshiron që karrierën ta përfundojë te ky klub dhe të futet në historinë e tyre si njëri prej lojtarëve më të mëdhenj. Sezonin e shkuar, 28-vjeçari për një periudhë të shkurtër impresionoi duke shënuar katër gola dhe asistuar tri herë në 15 paraqitje në La Liga. “Sigurisht, që dua të vazhdoj me formën e mirë. Ta ndihmoj ekipin dhe t’i gëzoj tifozët. Shpresoj gjithçka të shkojë mirë dhe ta përfundoj karrierën time këtu dhe të futem në histori të klubit si një prej idhujve të Mallorcas”, deklaroi ai.
Sulmuesi aspak nuk fsheh gëzimin e tij që sërish është pjesë e Mallorcas, ekip me të cilin ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2027. “Ishte një punë e madhe e të gjithëve te Mallorca që më kanë përkrahur dhe kanë insistuar për të më sjellë sërish në klub. Pra, të gjithë kemi punuar shumë për të ardhur në këtë moment, ku të gjithë jemi të lumtur”. “Të them të drejtën, para se të vijë këtu, kur kam folur me krerët e Mallorcas, ishte e pamundur që klubi të paguante dëmshpërblimin për shkak të kërkesës së lartë të Lazios. Ishte pra shumë vështirë, kam pasur oferta të tjera, por unë doja ta prisja Mallorcan. Pra, kam dashur të pres deri në fund përpara se të zgjedh dikë tjetër”, ka thënë Muriqi
Ai po ashtu ka folur edhe për situatën e pazakontë që i ndodhi në Belgjikë, te Club Bugge
“Gjithmonë kam qenë në kontakte me klubin e Mallorcas, por Brugge pagoi shumë. Kur shkuam atje, askush nuk na priti në aeroport dhe pastaj u bënë disa lojëra të pabesueshme. Kështu që, nuk doja të luaja më për ata. Pas largimit nga Brugge, Mallorca me kontaktoi sërish dhe më tha se ka besim që do ta kryejë transferimin dhe aspak nuk dyshon në mua”.
“Ishte një lojë e fshehtë e tyre për ta ulur çmimin. Gjithçka ishte mirë kur shkuam atje, pastaj në fund të ditës thanë se nuk është diçka në rregull në testet. Fillova të shqetësohesha, por ata më thanë që nuk kam mundur ta kaloj testin fizik, por u thash se kjo nuk është e vërtetë. Për mua, Brugge është një klub joprofesional”, nënvizoi sulmuesi shtatë lartë.
Muriqi insiston se nuk është aspak i mërzitur për situatën te Brugge dhe ndihet i lumtur me atë që ka ndodhur, pasi i ka mundësuar të rikthehet te Mallorca.
(Kosova Sot Online )