Agjenda e sotme e Kosovës, stërvitje dhe konferencë për shtyp

  • 20 September 2022 - 09:26
Agjenda e sotme e Kosovës, stërvitje dhe konferencë për shtyp

Kombëtarja e Kosova do t’i vazhdojë sot përgatitjet për ndeshjet e shtatorit. “Dardanët” u grumbulluan mbrëmë për ta zhvilluar stërvitjen e parë, ndërsa prezent ishin 11 futbollistë, dy portierët Samir Ujkani e Visar Bekaj, futbollisti i Llapit, Ilir Krasniqi, Florian Loshaj, Florent Hadërgjonaj, Betim Fazliji, Bersant Celina, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Donat Rudhani dhe Vedat Muriqi, derisa pjesa tjetër kanë qëndruar në hotel për rigjenerim, pasi të dielën vonë i kanë zhvilluar ndeshje me klubet e tyre.

E sot, ekipi në stërvitje ekipi do të jetë më i kompletuar. Stërvitjen e dytë, “Verdhekaltrit” do ta zhvillojnë në Kampin Nacional në Hajvali, duke filluar nga ora 10:30. Më pas, selektori Alain Giresse do ta mbajë një konferencë për shtyp, duke filluar nga ora 13:00. Vlen të përmendet se Kosova në ndeshjet e shtatorit do të jetë e hendikepuar pasi u lënduan tre lojtarë: Leart Paqarada, Mërgim Vojvoda dhe Shkëlqi Vladi. Mbetet të shihet nëse këta lojtarë do të zëvendësohen me të tjerë nga trajneri Giresse. Kosova do të luajë me Irlandën e Veriut më 24 shtator dhe me Qipron më 27 të këtij muaji, kur edhe do ta mbyllë kampanjën e saj në Ligën e Kombeve. 

(Kosova Sot Online )