Ish-futbollisti i Interit, Juves e Chelseat, Adrian Mutu e vlerëson lartë Kosovën

  • 13 October 2022 - 12:14
Ish-futbollisti i Interit, Juves e Chelseat, Adrian Mutu e vlerëson lartë Kosovën

Adrian Mutu e ka paralajmëruar Kombëtaren e Rumanisë se përballjet me Kombëtaren e Kosovës nuk do të jenë aspak të lehta. Legjenda rumune ia ka bërë një analizë Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024, ku krahas Rumanisë dhe Kosovës, bëjnë pjesë edhe Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra. Ish-futbollisti i Interit, Juventusit dhe Chelseat madje e ka vlerësuar lartë ekipin “Dardan”, për të cilin thotë se rumunët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm dhe të mos e shohin si punë të kryer fitoren para lojës.

“Nuk e shoh si një grup të lehtë. Shumë njerëz po thonë se nuk mund të ishte më mirë se kaq. Nëse i shikoni ndeshjet tona të fundit me Izraelin dhe me Zvicrën, nuk e di e kur kemi fituar për herë të fundit. Pastaj, nuk e kemi takuar ndonjëherë Kosovën. Në nivelin ndërkombëtar, Kosova ka lojtarë që performojnë në kampionate shumë të forta. Kushdo që thotë se është një grup i lehtë, mund të dëshirojë t’i bëjë më shumë presion përzgjedhësit, deklaroi për “sport.ro” Mutu, i cili aktualisht është trajner i ekipit rumun, Rapid București.

Ditë më parë, Federata Rumune e Futbollit nuk siguroi se Kombëtarja e këtij shteti do t’i zhvillojë ndeshjet me Kosovën, për të cilat tha se duhet të konsultohet me Qeverinë e Rumanisë. Madje, një ish-ministër i jashtëm rumun shkoi edhe më larg, duke thënë se Rumania nuk duhet të luajë me një shtet që s’e njeh, edhe nëse i humb të dyja ndeshjet, 0:3. Ndeshjet kualifikuese të Evropianit do të luhen në mes të marsit dhe nëntorit 2023. 

(Kosova Sot Online )