Publikohen rezultate nga hetimet kunder Juventusit: Pagesat sekrete të pagave, 17 lojtarë dhe rreth 60 milionë euro të përfshira në manipulim

  • 02 December 2022 - 14:37
Publikohen rezultate nga  hetimet kunder Juventusit: Pagesat sekrete të pagave, 17 lojtarë dhe rreth 60 milionë euro të përfshira në manipulim

Gazeta italiane Il Fatto Quotidiano raporton se 17 lojtarë janë përfshirë në pagesat të pa rregullta e sekrete,  të pagave të Juventusit, që arrijnë në pothuajse 60 milionë euro në total, transmeton "Kosova Sot Online".

Raporti i gazetës italiane detajon se si klubi deklaroi publikisht se katër muajt e pagave do të hiqeshin nga lojtarët gjatë fazave të hershme të pandemisë COVID-19, por në realitet klubi vendosi marrëveshje sekrete për të paguar skuadrën e tyre ‘nën tavolinë’.

Giorgio Chiellini me sa duket e pranoi këtë në një seri mesazhesh në rrjetin social WhatsApp të dërguara në bisedën e grupit të skuadrës së Juventusit në fazat e fundit të marsit të vitit 2020.

Guardia di Finanza – policia financiare italiane – gjeti marrëveshjet mes Juventusit dhe 16 lojtarëve, me një total prej 56.6 milionë euro deri në 61.8 milionë euro, për të paguar fshehurazi pagat e tyre.

Njëmbëdhjetë nga këto marrëveshje janë nënshkruar, për pak më shumë se 30 milionë euro.

Në gjashtë prej këtyre rasteve janë gjetur marrëveshje private të nënshkruara nga të dyja palët, në katër janë firmosur vetëm nga Juventusi dhe në një nuk ka pasur asnjë nënshkrim.

Bianconerët janë në ‘ujë të nxehtë’ dhe rrezikojnë të ndëshkohen për këtë, duke shpjeguar pse presidenti Andrea Agnelli dhe i gjithë bordi i drejtorëve dhanë dorëheqjen të hënën.

(Kosova Sot Online )