Ja kush është trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë

  • A.P /
  • 02 January 2023 - 18:17
Ja kush është trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje me trajnerin Sylvio Mendes Campos Junior për të marrë drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë.

Sylvinho do të zëvendësojë në këtë detyrë Edoardo Rejan, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë

Braziliani, i njohur si Sylvinho, ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin, Pablo Javier Zabaleta Girod, dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

“Marrëveshja mes FSHF dhe stafit të ri drejtuar nga Sylvinho parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024 dhe aspekti financiar do të bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave. Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga shtëpia e futbollit shqiptar.

48-vjeҫari Sylvinho, i cili vjen me një CV të pasur si lojtar dhe trajner, ka një eksperiencë të pasur si zëvendës trajner menjëherë pas lënies së futbollit dhe trajner më pas. Gjithçka nis në 2011 kur merr pozicionin e zëvendës trajnerit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthias, Inter, zëvendës trajner i Brazilit për tre vite përpara se të merrte drejtimin e Olimpik Lionit në Francë dhe më pas Corinthiasit në kampionatin brazilian.

Në karrierën e tij të pasur si lojtar, Sylvinho është aktivizuar te Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City ku mbylli karrierën e tij

Më datë 9 janar, Sylvinho dhe stafi i tij do të jenë në Tiranë për të hedhur firmat në kontratë dhe më pas për të bërë prezantimin e tyre në ora 11:00 në sallën e stadiumit “Air Albania”.

(Kosova Sot Online)