Ish-kampioni i boksit, Mike Tyson akuzohet sërish për përdhunim, kjo ësht gruaja që akuzon boksierin

  • S.A /
  • 25 January 2023 - 09:31
Ish-kampioni i boksit, Mike Tyson akuzohet sërish për përdhunim, kjo ësht gruaja  që akuzon boksierin

Mike Tyson është akuzuar për përdhunimin e një femre në fillim të viteve të nëntëdhjeta, pas takimit të tyre në një klub nate në Albany – sipas padisë pesë milionë dollarëshe të ngritur në fillim të këtij muaji, transmeton "Kosova Sot Online ".

Akuzuesja pretendon se legjenda e boksit e përdhunoi atë në një limuzinë duke rezultuar në “lëndim fizik, psikologjik dhe emocional” që nga ajo kohë. “Hyra në limuzinën e Tysonit që ta merrja një shoqen time nga shtëpia. Tyson menjëherë filloi të më prekte dhe u përpoq të më puthte. I thash ‘jo’ disa herë dhe i kërkova të ndalej, por ai vazhdoi të më sulmonte. Pastaj mi hoqi pantallonat dhe dhunshëm më përdhunoi”, thuhet në padinë e siguruar nga DailyMail.com, transmeton "Kosova Sot Online".

Deklarata e saj nuk jep një datë për sulmin, por thotë vetëm se ka ndodhur në fillim të viteve të nëntëdhjeta.

Afërsisht në të njëjtën kohë, konkurrentja e spektaklit të bukurisë, Desiree Washington, kishte pohuar se Mike e përdhunoi atë në Indianapolis. Asokohe (më 10 shkurt 1992) kampioni i boksit ishte dënuar për përdhunimin e modeles dhe kishte bërë tre vjet burg. Veprimi ligjor në New York është ngritur sipas ligjit të shtetit për të mbijetuarit e dhunës (Adult Survivors Act), i cili u jep viktimave të sulmeve seksuale një afat prej një viti për të ngritur padi për sulmet që kanë ndodhur vite apo edhe dekada më parë.

Viktima e supozuar ka kërkuar ta ruajë anonimitetin, sepse publikimi i emrit të saj “me siguri do të përbënte një rrezik për mua për dëmtim të mëtejshëm mendor, ngacmim, tallje ose turpërim personal”.

“Si rezultat i përdhunimit të Tyson, unë vuajta dhe vazhdoj të vuaj nga lëndimi fizik, psikologjik dhe emocional. Kam përjetuar ndjenja faji, humbje të respektit për veten, turp, siklet, trishtim, zemërim, depresion, ankth, tendenca të dhunshme, varësi nga droga dhe alkooli dhe konfuzion si rezultat i përdhunimit brutal”.

“Kam zhvilluar probleme gjatë gjithë jetës duke përfshirë, por pa u kufizuar, në çështjet me seksin dhe prekjen si rezultat i përdhunimit. Nuk kam qenë në gjendje të mbaj dhe/ose të zhvilloj marrëdhënie të shëndetshme me meshkuj ose me dikë në përgjithësi. Unë kam përjetuar vuajtje emocionale ekstreme, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në makthet, sulmet e panikut dhe rikujtimet”, thuhet mes tjerash nga akuzuesja.

Avokati i saj, Darren Seilback, ka thënë në një dosje të veçantë se zyra e tij nuk i mori thjesht fjalët e gruas, por hetoi pretendimet e saj dhe përcaktoi se ato janë “shumë të besueshme”. Tyson, i lindur në Brooklyn, fitoi admirim të madh si kampioni i padiskutueshëm botëror i peshave të rënda nga viti 1987 deri në 1990, por jeta e tij jashtë ringut ka qenë e turbullt. Ish-gruaja e tij, aktorja Robin Givens, tha në dokumentet e divorcit se martesa e tyre në fund të viteve të tetëdhjeta karakterizohej nga “tërbime të paprovokuara të dhunës dhe shkatërrimit”. Mike, po ashtu, kishte tentuar ta prekte pa dashje ish-fotografen e tij. Ishte pretenduar se boksieri pati tentuar t’ia kapte gjoksin fotografes Lori Grinker në fillim të viteve të tetëdhjeta, ndërsa në vend se ta mohonte, Tyson kishte thënë për Daily Mail se dyshja kishin marrëdhënie seksuale që nga koha kur ai ishte 17 vjeç, ndërsa fotografja ishte kah mesi i të njëzetave. Sidoqoftë, Grinker nuk kishte ngritur akuzë, por thjesht e kishte shtyrë boksierin, i cili kurrë më nuk kishte përsëritur diçka të tillë dhe e kishin vazhduar bashkëpunimin, ndërsa rrëfimin e kishte bërë në librin e saj për Mike Tyson.

(Kosova Sot Online )