Rrahmani po e sheh titullin me njërin sy: Ne e dimë që “Scudetto” është tek dera, duhet të vazhdojmë kështu
Amir Rrahmani po e shijon në maksimum momentin e Napolit.
Futbollisti kosovar po e drejton me sukses mbrojtjen e ekipit italian, i cili po shkon me hapa të sigurt drejt titullit të shumëpritur të kampionit në Serie A.
Napolitanët i kanë 12 pikë më shumë se përcjellësi kryesor, Inter, ndërsa në fundjavë e mposhtën pa problem Spezian.
Përfaqësuesi kosovar është i vetëdijshëm se Napoli e ka gjithnjë e më afër triumfin në kampionat, por që nuk dëshiron të ngutet të festojë pasi që janë edhe shumë xhiro për t’u zhvilluar.
“Ne e dimë që Scudetto është duke na trokitur, por ndërkohë e dimë se janë në lojë edhe shumë pikë dhe shumë ndeshje. Ne do të hyjmë në fushën e blertë gjithmonë me mentalitetin e duhur. Është e vështirë t’i fitojmë krejt ndeshjet, mund të ndodhë që ta humbim ndonjë pikë gjatë rrugës”, deklaroi fillimisht futbollisti kosovar në mikrofonin e “DAZN”.
“Ne punojmë gjatë tërë javës për të mos pësuar gol. Ne jemi të koordinuar mjaft mirë, krejt repartet, jo veç mbrojtja. Nëse luajmë mirë dhe nëse fitojmë në këtë mënyrë, është edhe fryt i punës që e kemi bërë vitin e kaluar”, vazhdoi qendërmbrojtësi i Napolit.
Ai e falënderoi trajnerin Luciano Spalletti për besimin e dhënë, duke insistuar se është trajneri italian më meritori që Rrahmani është rikthyer të luajë në nivelet më të larta.
28 vjeçari e lavdëroi trajnerin Spalletti, i cili e ka rritur nivelin e lojës së ekipit dhe është afër t’ia sjellë Napolit titullin e kampionit pas pritjes prej më shumë se tri dekadash.