Hazard po pengon rikthimin e spanjollit
Real Madridi dëshiron të “heqë qafe” Eden Hazardin, por lojtari po refuzon të largohet, gjë që po krijon një problem të madh te klubi mbretëror.
Belgu konsiderohej si një nga lojtarët më të mirë në futbollin botëror, teksa klubit spanjoll iu bashkua në vitin 2019 nga Chelsea, por forma e tij është larg nga ajo që e kishte në “Stamford Bridge”
Hazard ka bërë vetëm shtatë paraqitje në total në këtë sezon, teksa Real Madridi dëshiron që ta largojë pas përfundimit të këtij sezoni.
Jo vetëm për shkak të pagës së tij të lartë, por edhe se ai po zë një vend në skuadër, me klubin që planifikon ta rikthejë Brahim Diazin, i cili po kalon sezonin e fundit si i huazuar te Milani.
Sipas “AS”, Reali mendon se Brahim është gati të integrohet në planet e tyre dhe se Hazard nuk është i dobishëm për Carlo Ancelottin.
Kësisoj, kampioni në fuqi spanjoll dhe evropian do të preferonte që ai të largohej dhe t’i jepte vendin e tij Brahimit.
Spanjolli po shfaq paraqitje të mira me “Rossonerët”. Ai u huazua në vitin 2021.
23-vjeçari deri më tani ka regjistruar 109 paraqitje në total me Milanin, ka shënuar 16 gola dhe ka kontribuar me 10 asistime.
(Kosova Sot Online)