Klubit të njohur anglez i hiqen tri pikë, nuk i pagoi lojtarët

  • 21 March 2023 - 12:31
Klubit të  njohur anglez i hiqen tri pikë, nuk i pagoi lojtarët

Në futbollin kosovar, vonesa e pagesave për lojtarët është një përditshmëri tash e shumë vite, por  një gjë e tillë është e pazakontë dhe e dënueshme në futbollin evropian,  transmeton "Kosova Sot Online".

Një fenomen i tillë është shfaqur së fundmi edhe në futbollin anglez.

Klubi i Champioshipit (niveli i dytë), Wigan nuk ka arritur t’ua paguajë lojtarëve rrogat e muajit mars, ndërsa në të kaluarën i ishte dhënë një dënim për një rast të tillë.

“Latics” ishin dënuar pasi nuk kishin arritur t’i respektonin kontratat në muajt qershor, korrik dhe tetor 2022, njofton “BBC”.

E tash, dënimi ndaj tyre ka qenë edhe më i rëndë.

Liga e Futbollit Anglez (EFL) ia ka hequr tri pikë Wiganit si dënim për borxhin ndaj lojtarëve

Pronari Abdulrahman Al-Jasmi gjithashtu po akuzohet për sjellje të pahijshme dhe komisioni i pavarur disiplinor do të merret me këtë çështje.

Wigani gjendet në pozitën e fundit në tabelë dhe heqja e tri pikëve e lë këtë klub tetë pikë nga pozita e katërt prej fundit, Cardiff, zonë kjo që e siguron mbijetesën.

EFL e kishte paralajmëruar Wiganin dhe Al-Jasmin se mund të dënoheshin nëse nuk do t’i përmbushnin kriteret sipas kushteve të parapara.

Wigani e paralajmëroi vonesën e pagave në fillim të këtij muaji, por i arsyetoi vonesat për “çështjen e fundit të likuiditetit”, ndërsa e përshkroi gjendjen financiare të klubit si “të fortë”.

Dënimi me tri pikë ishte një tjetër goditje për Wiganin, i cili vështirë se do të shpëtojë pa rënë nga liga. 

(Kosova Sot Online )