KOK-u dhe FFK-ja dërgojnë telegrame ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të futbollistit të ri kosovar

  • 30 March 2023 - 10:59
KOK-u dhe FFK-ja dërgojnë telegrame ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të futbollistit të ri kosovar

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë dërguar telegram ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të futbollistit të 2 Korrikut, Leon Syla. I ndjeri ishte 15 vjeç dhe klubi prishtinas njoftoi dje për vdekjen e hershme të futbollistit të ekipeve zinxhirë të 2 Korrikut, transmeton "Kosova Sot Online ".

“E nderuara familja Syla! Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të futbollistit të ri, 15-vjeçar, Leon Syla. Leoni ishte futbollist i klubit të 2 Korrikut, ndërsa ishte pjesëmarrës edhe në aktivitetet e KOK-ut të organizuara në shënimin e Ditës Olimpike. Ikja e tij e hershme shkaku i sëmundjes që e përcolli për disa vite, preku gjithë komunitetin e sportit dhe jo vetëm. Leoni ishte shembull për shpirtin e tij luftarak dhe disiplinën e shfaqur në klub dhe aktivitetet sportive.

Në emër të KOK-ut dhe lëvizjes olimpike në vend, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, shokëve, klubit 2 Korriku, FFK-së, dhe gjithë afërmve të tij”, ka shkruar në ngushëllimin e saj për familjen Syla, shtëpia e sportit kosovar. “E nderuar Familje Syla! Të nderuar drejtues dhe staf i FC 2 Korriku! Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurit tuaj, futbollistit të FC 2 Korriku, Leon Syla. Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Leoni. Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit. Leoni ishte shembull i vërtetë luftaraku, jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në betejën e tij me sëmundjen e rëndë. Sot të gjithë jemi me lot në sy dhe dhimbje në zemër, por shpresojmë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Leonit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për Ju për ta përballuar dhimbjen e madhe. Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj. I përjetshëm qoftë kujtimi për Leonin!”, shkroi shtëpia e futbollit kosovar.

Ky pa dyshim është një lajm i trishtë që e goditi jo vetëm klubin 2 Korriku, por edhe futbollin kosovar në përgjithësi. 

(Kosova Sot Online )