
Sot mbyllet sezoni në Superligë

Sot do të zhvillohen ndeshjet e javës së 36-të dhe të fundit për sezonin 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll.
Këtë të diel do të përcaktohet përfundimisht se cila skuadër do të bie nga elita, cila do të sigurojë barazhin dhe cila skuadër do të renditet e katërta, që do të ia mundësojë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Sa i përket garës për mbijetesë, vëmendja do të jetë tek Ferizaj e Trepça ’89. Ferizajasit qëndrojnë më mirë në këtë aspekt, janë të tetit dhe kanë një pikë më shumë se 89-shi i parafundit. Pozita e tetë siguron barazhin.
Të dy ekipet i presin duele tejet të forta këtë të diele. Dukagjini e Prishtina do të jenë rivalët e tyre, të cilët po luftojnë “dhëmbë me dhëmbë” për vendin e katërt.
Ferizaj në terrenin e vet e pret Dukagjinin, që i ka tri fitore radhazi, derisa ata në tri sfidat e fundit kanë një barazhin, një fitore e një humbje.
Në duelet direkte, dy i kanë takuar Dukagjinit, e një përfundoi pa fitues.
Në krahun tjetër, Trepça ’89 e pret Prishtinën, një rival të vjetër. Në pesë sfidat e fundit, kryeqytetasit kanë katër barazime e një fitore, derisa 89-shi një fitore e tri humbje. Në takimet direkte, dy i ka fituar Prishtina, e një u mbyll baras.
Tashmë, Ballkani është kampion, trofe të cilin e siguroi javën e kaluar, pas fitores dhe humbjes së Dritës.
Suharekasit këtë javë luajnë ndaj Gjilanit dhe do ta ngritin trofeun. Të kuqtë nga Gjilani do të jenë në garat evropiane, e po ashtu janë edhe në finale të Kupës.
Ekipi i dytë sivjet do të jetë Drita, e cila i shkon Drenicës, tashmë të rënë nga Liga, për herë të parë në histori të klubit.
Përballja e fundit është Malisheva-Llapi. Të dy ekipet kanë nga 43 pikë dhe kjo përballje do të vendoset se cila do jetë më përpara njëra tjetrës.
Të gjitha përballjet e kësaj xhiro do të luhen nga ora 15:00.
(Kosova Sot Online)