Zyrtarët e Roland Garros ja falin edhe veprimin më të turpshëm serbit Djokovic

  • 31 May 2023 - 08:40
Zyrtarët e Roland Garros ja falin edhe veprimin më të  turpshëm  serbit Djokovic

Gjesti i turpshëm i tenistit Novak Djokovic në Roland Garros kaloi çdo etikë morale dhe ligjore. Pas përfundimit të ndeshjes me Aleksander Kovacevic, nr. 3 i botës iu drejtua kamerës dhe bëri një shkrim të shëmtuar, transmeton "Kosova Sot Online".

“Kosova është zemra e Serbisë! Ndaleni dhunën”, është ajo që shkroi në gjuhën serbe Djokovic. Mirëpo, për zyrtarët e lartë dhe organizatorët që kujdesen për mbarëvajtjen e aktivitetit të French Open, duket se ky veprim nuk përbën asnjë shkelje, por një vendim i tillë vetëm sa shkakton më tepër tension dhe cënon shumë ndjeshmërinë kombëtare.Në një deklaratë të publikuar në “The Mirror”, zyrtarët e Roland Garros janë shprehur ”nuk ka rregulla zyrtare në Grand Slam se çfarë duhet të thonë dhe lojtarë dhe çfarë jo.” Organizatorët konfirmuan që ”Federata Franceze e Tenisit nuk do të ndërrmarrë asnjë veprim për këtë cështje.”

Djokovic e pranoi që veprimi i tij ka shkaktuar jehonë të madhe, me kritikat dhe akuzat që kanë qenë të shumta, por insistoi që nëse do t’i vinte mundësia do ta bënte përsëri. Në këtë moment, nuk ka asnjë vend për surprizë, pasi përtej dëshirës për të nxitur armiqësi dhe në të ardhmen, Djokovic ka vepruar në një mënyrë të tillë edhe në të kaluarën.

Dhe pikërisht, për këtë arsye, penaliteti ndaj Novak Djokovic duhet të ishte i madh, pasi ka cënuar një komb të tërë, ka kaluar dhe jashtë cdo etike morale dhe ligjore dhe për më tepër nuk është shfaqur në të njëjtën lartësi profesionale si në fushë. Duket se kësaj radhe do të shpëtojë me vetëm një gjobë, duke shmangur një dënim më të madh apo dhe përjashtimin nga gara. 

(Kosova Sot Online )