
Al-Ahli rrit ofertën për Pogban

Al-Ahli raportohet se ka rritur ndjeshëm ofertën për Paul Pogban, duke vazhduar kështu me përpjekjet për transferimin e tij nga Juventusi.
Mesfushori ndezi thashethemet pasi u pa në Jeddah kohët e fundit. Ndërsa udhëtimi ishte zyrtarisht për arsye personale, ai raportohet se vizitoi objektet e dy klubeve, Al-Ittihad dhe Al-Ahli.
Javën e kaluar dolën raporte se Pogbas i ishte ofruar një kontratë tre-vjeçare me vlerë rreth 100 milionë euro neto nga Al-Ahli, një ofertë e cila me sa duket nuk arriti ta bindte francezin.
Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Al-Ahli është gati të bëjë një ofertë të re për 30-vjeçarin, me vlerë rreth 150 milionë euro në total gjatë tre viteve.
Juventusi besohet se do të ishte i gatshëm ta shesë Pogban për vetëm 10 milionë euro këtë verë, për të shmangur pagën e tij, që është rreth 8 milionë euro neto në sezon.
Derisa mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, ish-mesfushori i Manchester Unitedit mbetet i lidhur me “Zonjën e Vjetër” deri në verën e vitit 2026.
(Kosova Sot Online)