
Lukaku mund të rikthehet në Itali

“Telenovela” Romelu Lukaku nuk e ka ndërmend të mbarojë.
Sulmuesi belg nuk e di ende se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm.
Chelsea nuk dëshiron ta mbajë gjigantin ofanziv pasi trajneri Mauricio Pochettino nuk llogarit në shërbimet e tij.
Ish-futbollisti i Evertonit dhe i Manchester Unitedit i prishi punët me Interin, ku u huazua dy herë, ndërsa në fund i dështoi edhe transferimi në Juventus.
Por, kjo nuk nënkupton se përfaqësuesi belg nuk do të rikthehet në Serie A.
Sipas mediave italiane, gjiganti i sulmit mund të përfundojë në Romë.
Trajneri Jose Mourinho e pëlqen futbollistin dhe do të donte ta ketë në dispozicion për sezonin e ri, që nisi së fundmi.
“La Gazzetta dello Sport” shkruan se shefja ekzekutive e “Giallorossi”, Lina Souloukou aktualisht gjendet në Londër me mision që të marrë informata rreth transferimit eventual të Lukakut në “Olimpico”.
E javë më parë flitej edhe për një interesim të Milanit për Romelu Lukakun, i cili do ta pëlqente një rikthim në kampionatin italian, ndërsa i ka refuzuar ofertat e majme nga klubet e Arabisë Saudite.
(Kosova Sot Online)