Daku dhe Muja rrezikojnë të luajnë për Shqipërinë, shkak bëhet dokumentacioni i tyre

  • 02 September 2023 - 13:05
Daku dhe Muja rrezikojnë të luajnë për Shqipërinë, shkak bëhet dokumentacioni i tyre

Pasaportat janë kthyer në makthin e ekipeve kombëtare të Shqipërisë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Siç mësojnë burime pranë “SuperSportit”, prej pothuajse 18 muajsh pajisja e lojtarëve të talentuar të të gjithë skuadrave Kombëtare me shtetësinë shqiptare është bërë një mision i pamundur.

Dhjetëra emra lojtarësh dhe lojtaresh kanë mbetur në Presidencë, ku dosjet flenë dhe shqiptarët që duan të pajisen me pasaportë dhe të përfaqësojnë Kombin e tyre duhet të presin “zgjimin” e Presidencës nga “gjumi i thellë”.

Mjafton të kujtosh rastet e lojtarëve të U-17, që nuk luajtën në Elite Round, dhe të shtonin shanset për t’u kualifikuar në Europian, sepse “pasaporta shqiptare është bërë shumë e shtrenjtë”, ndërkohë që nëse futesh në faqen zyrtare të President të Republikës shikon qindra dekrete për dorëzim nënshtetësie.

Heqja dorë nga pasaporta shqiptare nuk e shqetëson Presidentin Begaj. Ata që duan të përfaqësojnë Kombin tonë duket se e lodhin Presidentin, që, i lënë mënjanë dhe pa asnjë pushtet, zgjedh të bëjë të gjithëpushtetshmin me ata lojtarë të talentuar që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Kombin e tyre.

Arbnor Muja dhe Mirlind Daku pas shumë muajsh pritje u pajisën me pasaportë shqiptare, por pa arritur të shmangin rrezikun se mund t’i humbasin dy finalet me Republikën Çeke dhe Poloninë, sepse dokumentacioni që duhet të dorëzohej në FIFA nuk arriti kurrë për shkak të “gjumit presidencial”.

Zyrtarisht, lojtarët nuk mund të luajnë, duke qenë se presin një konfirmim nga qeveria e futbollit botëror. E njëjta situatë me Kombëtaren U-21, ku tre lojtarë që priteshin të bëheshin shtetas shqiptarë morën refuzimin nga Presidenti dhe pavarësisht se u shfaqën në listën e trajnerit Bushi për ndeshjet kualifikuese me Armeninë dhe Rumaninë, nuk do të luajnë për shkak se nuk e morën pasaportën “kuqezi”.

Kështu ndodh edhe me lojtarë të Kombëtares të vajzave, kështu ndodh me lojtarë të kombëtareve të moshave, futsallit e me radhë, prej një viti të gjithë ata që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë nuk pajisen dot me pasaportë. Shpjegimi është shumë i vështirë për t’u gjendur…… mbase Bajram Begaj dëshiron të ndihet President duke penguar futbollistët shqiptarë të veshin fanellën e Kombëtares. 

(Kosova Sot Online )