Uran Bislimi tani kthehet si lojtar i Zvicrës, dhjetë muaj më parë luajti me Kosovën

  • 07 September 2023 - 11:35
 Uran Bislimi tani kthehet si lojtar i Zvicrës, dhjetë muaj më parë luajti me Kosovën

Uran Bislimi ka kaluar disa muaj të turbullt. Nëntorin e kaluar ai bëri debutimin e tij ndërkombëtar për Kosovën në një miqësore kundër Armenisë (2-2), dhe tre ditë më vonë shënoi golin e tij të parë kundër Ishujve Faroe (1-1). Dhjetë muaj më vonë, bota e Bislimit duket krejtësisht ndryshe. Ai të shtunën do të luajë sërish në stadiumin Fadil Vokrri, por këtë herë për Përfaqësuesen e Zvicrës, transmeton "Kosova Sot Online". 

Në qershor, trajneri i kombëtares Murat Yakin e shfrytëzoi faktin se Bislimi kishte ende të drejtë të luante për Zvicrën pas dy paraqitjeve miqësore për Kosovën.

Në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Rumanisë (2:2), lojtari i lindur në Bazel më në fund mori ftesë dhe debutoi në ndeshjen e parë me Helvetikët.

Reklama

“Është një ëndërr fëmijërie që realizohet”, tha Bislimi pas paraqitjes së tij të parë me Zvicrën.

Megjithatë, vendimi i tij për ta lënë Kosovën nuk është pritur aspak mirë nga qytetarët, drejtuesit e FFK-së dhe tifozët, të cilët e kanë kritikuar jashtë mase atë dhe disa të tjerë, të cilët ekipin Dardanë e shohin vetëm si zgjedhje të dytë.

Vetë Bislimi kishte komentuar temën e ndjeshme pas ftesës së tij të tij të parë te Zvicra.

“Që nga thirrja për Zvicrën, nuk ka pasur vetëm reagime pozitive, por edhe më pak pozitive”, tha Bislimi. Megjithatë, ai ka një familje dhe njerëzit e afërt që e mbështetin plotësisht në këtë vendim.

Bislimi tani ka marrë mbështetje edhe nga Federata e Zvicrës në prag të ndeshjes së ardhshme kualifikuese ndaj Kosovës.

“Ne folëm me Uranin në mënyrë që ai të përgatitet mirë për këtë lojë si çdo lojtar tjetër. Sigurisht që është një lojë e veçantë për të dhe bashkëlojtarët e tij me rrënjë kosovare. Por kjo nuk e ndryshon faktin që fokusi është tërësisht te sfida sportive”, thuhet në një përgjigje të federatës zvicerane.

(Kosova Sot Online )