Xherdan Shaqiri: Ka qenë një ëndërr e imja të luajë në Kosovë
Për Xherdan Xhaqirin ndeshja kundër Kosovës është shumë e veçantë. Dy ditë para fillimit të saj ai mezi pret që të udhëtojë për në Prishtinë
Nga Chicago në qëndrën e grumbullimit në Riddes të kantonit Valais ka arritur Xherdan Shaqiri. Kosovari që luan për Zvicrën prej kohësh konsiderohet si njeri prej më të mirëve në Major League Soccer (MLS), por që kohëve të fundit e ka humbur këtë status dhe atë nga kush, nga Lionel Messi.
Argjentinasi jo vetëm që ka kthyer ekipin e tij në formë, Inter Miami, por ka bërë që futbolli amerikan të bëjë bujë në SHBA.
Edhe Shaqirit i ka lënë përshtypje “efekti Messi”.
“Euforia është shumë e madhe. Mund të shikoni se sa shumë yje tashmë kanë filluar që të mendojnë për të luajtur në MLS. Futbolli është bërë befas shumë i popullarizuar në SHBA”, ka thënë fillimisht Shaqiri, i cili nuk është i befasuar nëse Miami tani bëhet kandidat për ta fituar titullin.
“Në MLS, çdokush mund të fitoj ndaj kujtdo. Kur papritmas keni katër ose pesë lojtarë kaq të mirë, kjo ka një ndikim shumë të madh.”
Tani, kosovari që luan për Zvicrën është i përqendruar në grumbullimin e kombëtares së tij. Përpara ai ka një ndeshje shumë të veçantë, do të luajë si mysafirë i Kosovës. Zvicra me Kosovën ka zhvilluar një miqësore në Letzigrund, vitin e kaluar, e cila përfundoi 1-1. Por, tani gjërat janë më serioze pasi që bëhet fjalë për pikë në kualifikimin për Kampionatin Evropian.
“Do të jetë një lojë e veçantë”, ka pranuar Shaqiri.
“Mezi pres të jem në fushën ku kam lindur. Ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja. Është e mrekullueshme që mund ta përjetoj këtë me kombëtaren e Zvicrës”, ka thënë Shaqiri duke pohuar se pritjet për këtë ndeshje janë të mëdha.
Kërkesa të mëdha për bileta, ato u shitën shpejt
Shaqirit dhe Zvicrës ka mundësi që nuk do t’i mungojë përkrahja në Prishtinë. 31 vjeçari ka thënë se atij i janë kërkuar shumë bileta për këtë ndeshje.
“Për fat të mirë unë arrita që të organizojë gjithçka. Tërë familja ime pritet të jetë atje”.
“Bëhet fjalë për tri pikë, ne duhet të paraqitemi mirë”, tha Shaqiri duke bërë të qartë që Zvicra do të luftojë për fitore duke lënë anash lidhjet e tij me Kosovën.
“Disa anëtarë të familjes që janë atje do të më shohin për herë të parë duke luajtur. Shpresoj që ata të jenë me mua në këtë ndeshje dhe për Zvicrën”, ka thënë ai.
(Kosova Sot Online)