S’ka përgjegjësi për dështimin e Kombëtares, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së me një fjali e kalon këtë dështim

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 19:13
S’ka përgjegjësi për dështimin e Kombëtares, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së me një fjali e kalon këtë dështim

Pas humbjes ndaj Rumanisë, në opinionin publik u rrit kërkesa për përgjegjësi, teksa Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) sot lëshoi një komunikatë befasuese, pas një mbledhjeje të mbajtur nga Komiteti Ekzekutiv.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur këtë të martë mbledhjen e radhës, në të cilën u analizuan edhe paraqitjet e Kombëtares së Kosovës, që ka regjistruar rezultate zhgënjyese në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kosova ka regjistruar katër barazime e dy humbje në gjashtë ndeshje në këtë fushatë kualifikuese, përfshirë barazimin me Zvicrën (2:2) dhe humbjen ndaj Rumanisë (2:0) këtë muaj, që u shuan edhe shpresat për kualifikimin historik

Në komunikatën e lëshuar për media nga FFK-ja është shkruar shkurt rreth kësaj, duke theksuar që vetëm “nuk mund të flitet për ndonjë sukses dhe që duhet një konsolidim i tyre në vazhdim”, përfshirë edhe rezultatet e Kosovës U21.

“KE analizoi paraqitjet e ekipeve të Kombëtares “A” dhe asaj U21, që nuk mund të flitet për ndonjë sukses, por që duhet një konsolidim i tyre në vazhdim”, kaq thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK):

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Në këtë mbledhje KE analizoi rrjedhën e garave në të gjitha rangjet dhe kategoritë me konstatimin se garat po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe deri më tash vërehet me ngritje të cilësisë, shtim në organizim dhe rivalitet sportiv.

KE analizoi paraqitjet e ekipeve të Kombëtares “A” dhe asaj U21, që nuk mund të flitet për ndonjë sukses, por që duhet një konsolidim i tyre në vazhdim.

KE shqyrtoi dinamikën e riorganizimit e licencimit të Lidhjeve Rajonale të Futbollit (LRF) e ku u tha se nevojitet strukturimi dhe organizim i tyre profesional e sportiv në harmoni me Aktet Normative të FFK-së dhe nevojat që i shtron koha si domosdoshmëri për zhvillimin e futbollit të Kosovës.

KE mori vendim që të vazhdohet me investimet dhe punimet në selinë e FFK-së, në Kampin Nacional në Hajvali dhe Obiliq.

KE shqyrtoi edhe Kërkesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi”.

(Kosova Sot Online)