Tifozët serbë bëjnë skandal në Ligën e Kampionëve, i nderojnë terroristët e Banjskës dhe bëjnë thirrje kundër shqiptarëve

  • 05 October 2023 - 09:27
Tifozët serbë bëjnë skandal në Ligën e Kampionëve, i nderojnë terroristët e Banjskës dhe bëjnë thirrje kundër shqiptarëve

Tifozët e Crvena Zvezdës e kanë bërë edhe  një veprim skandaloz mbrëmë në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në fakt, tifozët e klubit serb në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Young Boysit të Zvicrës i kanë nderuar dhe i kanë kujtuar terroristët serbë të vrarë nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Siç njofton mediumi serb “Telegraf”, grupi i tifozëve “Delije” e shpalosën një fotografi gjigante, ku i kujtuan dy nga terroristët e vrarë pas sulmit në Kosovë, ku mbeti i vrarë polici hero Afrim Bunjaku.

Pankarta i shfaqte emrat e dy prej tre terroristëve të vrarë, Igor Milenkovic e Bojan Mijailovic.

Krahas emrave të tyre, ata e vendosën fotografinë e madhe të Stefan Nedeljkovicit, po ashtu terrorist i vrarë, i cili ishte tifoz i këtij klubi serb. Gjithashtu, nuk munguan as thirrjet skandaloze të tifozëve nacionalistë si “Kosova është Serbi” dhe “vrite, prite, që shqiptari të mos ekzistojë”. Natyrisht, tash priten veprimet konkrete të UEFA-s ndaj tifozëve problematikë që nxisin dhunë dhe vrasje. 

(Kosova Sot Online )