
Shaqiri flet për Leo Messin

Xherdan Shaqiri e ka lavdëruar Lionel Messin, i cili iu bashkua atij në ligën amerikane – MLS.
Ylli kosovar thotë se legjenda argjentinase e ka transformuar totalisht Inter Miamin që prej zbarkimit të tij.
Messi mungoi mbrëmë në fitoren e Chicago Fire ndaj Inter Miamit me rezultat 4:1, ndërsa futbollisti nga Zhegra e Gjilanit ishte protagonist me dy gola të shënuar.
Por, 31 vjeçari beson se ekipi nga Florida do të këndellet, mbi të gjitha kur e ka në skuadër shtatë herë fituesin e Topit të Artë.
“Kur luan Messi, të gjithë në ekip janë më të mirë dhe kjo është arsyeja se përse ai është më i miri në botë në këtë moment”, deklaroi Shaqiri për mediat amerikane.
“Miami ka pamje tjetër, ka dukje tjetër me Messin në ekip. Kur nuk luan ai, kjo vërehet, siç u pa në ndeshjet e fundit”, vazhdoi ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit, Stoke Cityt, Liverpoolit e Lyonit.
Messi ka pësuar lëndim dhe ka munguar në ndeshjet e fundit.
Kjo ka bërë që mungesa e tij të ndihet dukshëm dhe Inter Miamit i munguan fitoret në këto takime.
(Kosova Sot Online)