Misioni Euro 2024/ Çekia e “përkthyer” në numra, si vjen kundërshtari i Shqipërisë

  • 11 October 2023 - 09:29
Misioni Euro 2024/ Çekia e “përkthyer” në numra, si vjen kundërshtari i Shqipërisë

Shqipëri – Republikë Çeke, është kryefjala e momentin, me “kuqezinjtë” të cilët janë shumë pranë kualifikimit në EURO 2024.

Mbrëmjen e 12 tetorit, “Air Albania” do të mirëpresë një prej takimeve më të rëndësishme të dekadës së fundit, me shpresën, dëshirën dhe misionin tri pikë, për të hedhur një hap të sigurt drejt Gjermanisë, transmeton "Kosova Sot Online".

Një përballje sa delikate, po aq edhe e rëndësishme për vetë objektivat e “kuqezinjve”, me skuadrën e Sylvinho-s që prezantohet me 4 ndeshje radhazi pa humbje dhe me një sukses shumë të rëndësishëm, si triumfi 2-0 ndaj Polonisë.

Krahasuar me ndeshjen e Shtatorit, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe tani Shqipëria “komandon” Grupin E me 10 pikë, dy më shumë se rivali i radhës.

Çekia nuk është një kundërshtar i panjohur, madje Shqipëria mori një barazim me shumë vlera në muajin Shtator, ndërsa tani, “shqiponjat” kërkojnë të ngjyrosin kuq e zi edhe Tetorin.

Por, si vjen Çekia në këtë përballje?

Skuadra e drejtuar nga trajneri Jaroslav Silhavy prezantohet me gjashtë ndeshje pa humbje, midis tyre dy takime miqësore, por nëse flasim vetëm për ndeshjet zyrtare, Çekia nuk e njeh humbjen në 4 përballjet e fundit.

Viti 2023 ka rezultuar mjaft pozitiv për Silhavy-n, me tre fitore dhe tre barazime, ndërsa ka shënuar në pesë prej tyre, duke dështuar vetëm përballë Moldavisë në barazimin 0-0, por duhet theksuar, se Çekia është një skuadër që pëson rregullisht, kjo pasi vetëm në dy nga gjashtë takime ka mbajtur portën e paprekur.

Transfertat mund të jenë pika e tyre më e dobët dhe këtë e tregojnë shifrat. Në 10 transfertat e fundit, Çekia ka fituar vetëm dy, një prej tyre miqësore, tre barazime dhe ka pësuar pesë humbje, me një skuadër që pëson thuajse sistematikisht.

Ajo që duhet theksuar është fakti që pas shpërbërjes së Çekosllovakisë, Çekia nuk ka munguar në asnjë Europian, ndërsa tani kërkon prezencën e tetë radhazi, madje në edicionin e vitit 1996 ishte finaliste, ndërsa pas tetë vitesh, në EURO 2004 u ndal në fazën gjysmëfinale.

Pavarësisht brezave, Çekia ka arritur të ruajë deri diku traditën, pasi në 4 edicionet e fundit të Europianit, në dy prej tyre ka arritur deri në çerekfinale, madje për herë të fundit në EURO 2020.

Numrat dhe shifrat janë dhe qëndrojnë në letër, sepse në fushën e lojës gjithçka zerohet dhe tani, ethet e 12 Tetorit kanë nisur, me një komb që shpreson dhe beson fort te kjo Kombëtare, që i ka bërë të gjithë me “krahë” dhe që të gjithë janë gati për të shkruar së bashku historinë dhe për të nisur një kapitull të ri, me misionin EURO 2024.

(Kosova Sot Online )