Ballkani konfirmohet si lider i Superligës, dhuron spektakël ndaj Lirisë

  • 20 October 2023 - 15:28
Ballkani konfirmohet si lider i Superligës, dhuron spektakël ndaj Lirisë

Ballkani është konfirmuar lider i Superligës së futbollit edhe pas xhiros së 10-të të saj, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kampioni i Kosovës e mposhti fqinjën Liria me rezultat bindës 4:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë. 

Therandasit u bëfasuan nga prizrenasit në pjesën e parë duke e gjetur veten në disavantazh, 0:1. Bardhezinjtë festuan përkohësisht me golin e Zenunajt, të shënuar në minutën e 15-të. Por, me të filluar pjesa e dytë, ekipi Portokalli përmbysi gjithçka brenda 12 minutash lojë. Fillimisht, Albin Berisha i barazoi shifrat pak sekonda pasi nisi 45 minutëshi i dytë. Më pas, Lumbardh Dellova e kaloi në epërsi skuadrën e trajnerit Ilir Daja në minutën e 51-të. Në vazhdim, në skenë doli Almir Kryeziu, i cili i shënoi dy gola për t’ia siguruar një fitore të qetë ekipit të tij. Ylli i ekipit suharekas shënoi në minutën e 57-të dhe në atë të 79-të, por fatkeqësisht u lëndua tek goli i dytë personal dhe u largua me barelë nga fusha.

Ballkani e regjistroi fitoren e shtatë për ta forcuar pozitën e liderit, ndërsa Liria e pësoi një humbje që e lë thellë në fundin e tabelës. 

(Kosova Sot Online )