Lexoni edhe:
Tash foli Amerika për Asociacionin, Kosova nuk ka çka pret më shumë, por duhet të përgjigjet urgjentisht
Kombëtarja e Kosovës e regjistroi mbrëmë një fitore të rëndësishme për ta ngritur moralin në ekip pas kampanjës dëshpëruese që e patën në eliminatoret e Euro 2024, transmeton "Kosova Sot Online".
Në mungesë të disa lojtarëve të rëndësishëm, selektori Primoz Gliha vendosi t’ua japë rastin lojtarëve të rinj, kryesisht nga Superliga, të cilët e arsyetuan besimin e dhënë nga trajneri slloven.
Lumbardh Dellova e zëvendësoi Amir Rrahmanin në zemër të mbrojtjes, ndërsa shfaqi stabilitet përpara portierit Aro Muriç.
“Është kënaqësi e madhe të luaj së bashku me një mbrojtës me përvojë si Fidan Aliti. E rëndësishme është që ta tregojmë veten dhe ta japim maksimumin për Kosovën. Shpresoj se do të dalim në vendin e tretë”, u shpreh futbollisti i Ballkanit pas lojës për Art Motion.
I lumtur për debutimin nga minuta e parë në Kombëtare ishte edhe Ilir Krasniqi.
“Ishte një emocion i madh duke e pasur përsysh rëndësinë e ndeshjes. Kur fiton ekipi, natyrisht se ndihesh mirë. Sonte nuk kishte shikues për shkak të shiut. I falënderojmë pasi na kanë përkrahur sigurisht nga shtëpia”, tha mbrojtësi i Llapit pas lojës.
Edhe Qëndrim Zyba u shpreh mjaft i lumtur për rastin që ia dha trajneri Gliha.
“Ta veshësh fanellën e Kosovës është ndjenjë e mrekullueshme. Fusha sot ishte e rënduar dhe nuk na la të luajmë shumë me topin. Jam i lumtur që në dy ndeshjet e fundit kemi arritur fitore. Dua ta falënderoj trajnerin për besimin që na ka dhënë ne lojtarëve nga Superliga”, tha futbollisti i Ballkanit.
Kosova është e katërta në Grupin I me 10 pikë, prej tyre 2 fitore, 4 barazime e 2 humbje, një pikë prapa Izraelit, i cili i ka 11 dhe është i treti.
Të shtunën, Kosova do ta vizitojë Zvicrën, ndërsa të martën tjetër e pret Bjellorusinë në Prishtinë në mbyllje të fazës eliminatore të Evropianit.
(Kosova Sot Online )