Lexoni edhe:
Bandat e krimit të organizuar po e mbajnë akoma peng zgjedhjen e kryeprokurori të ri të shtetit
Federata Shqiptare e Futbollit ka përzgjedhur kampin bazë ku do të stacionohet Kombëtarja shqiptare gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për finalet e Euro 2024, transmeton "Kosova Sot Online ".
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se qendra ku do të qëndrojë skuadra kuqezi përgjatë finaleve të turneut quhet SportCentrum Kaiserau, një kompleks nga më të mirët në Gjermani për ekipe sportive në afërsi të Dortmundit.
Qendra stërvitore është e specializuar për grumbullime dhe faza përgatitore të skuadrave dhe ka eksperiencë të pasur, pasi aty janë grumbulluar për faza përgatitore apo për turne në të kaluarën ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si FC Bajern Mynih, Real Madrid, FC Liverpul, FC Porto, Borusia Dortmund, Shalke 04, Valencia, Atletik Bilbao, Udinese, Legia Varshavë, Borusia Mënshengladbah, Verder Bremen, RB Lajpcig, Eintraht Frankfurt, Volfsburg, Union Berlin, Fortuna Dyseldorf, Roda Kerkrade, Standard Liezh, Los Anxheles Galaksi, SC Paderborn, Shtutgart, Hamburger, Bohum, Arminia Bielefeld dhe Dinamo Dresden.
24 orë para çdo ndeshjeje ekipi Kombëtar do të transferohet në qytetin ku do të luhet dhe pas ndeshjes do të kthehet përsëri në kampin bazë për të vijuar përgatitjet.
(Kosova Sot Online )