Përballja e fortë e shqiptarit Sefer Seferi me Tyson Furyn, ja si vazhdoi karriera e tyre pas atij meçi
Pas përballjes së famshme me Wladimir Klitschkon, Tyson Fury e kishte lënë boksin profesionist, duke pushuar plot tri vjet, ndërsa ishte përballur në atë kohë me varësi të drogës, depresion dhe me probleme mentale, transmeton "Kosova Sot Online ".
Thjesht, ai kishte probleme në jetën private, të cilat e lanë edhe jashtë dhe larg jetës sportive.
Sidoqoftë, boksieri britanik u ishte rikthyer stërvitjeve në vitin 2017, ndërsa e kishte marrë licencën e boksit më pas për të garuar përsëri.
Ai e rifitoi licencën në janar të vitit 2018 duke u rikthyer kështu nga “pensionimi”, shkruan “Givemesport”.
Me këtë rast, në rikthimin e tij, “The Gypsy King” u përball me një boksier shqiptar.
Në qershor të vitit 2018, në shtëpinë e Furyt, përkatësisht në Manchester, britaniku i kryqëzoi dorëzat me boksierin shqiptar, Sefer Seferi.
Boksieri nga Maqedonia e Veriut nuk mund t’ju besonte syve se do ta kishte mundësinë ta ndajë ringun me Furyn, një boksier që e kishte shkatërruar njërin prej boksierëve më të mëdhenj në histori (Klitschkon).
“Kjo do ta bënte ëndrrën time realitet. Unë kurrë nuk kam menduar se do ta kisha rastin të përballesha me Furyn, ai është idhulli im. Fury është legjendë e boksit e shekullit 21. Ai është i gjatë, e ka peshën dhe forcën dhe lëviz lehtë, ai e kishte ‘shembur’ Klitshchkon. Fury është një ari”, kishte thënë Sefer Seferi.
Para fillimit të meçit, Fury e kishte puthur kundërshtarin e tij, ndërsa më pas kishte dhuruar spektakël dhe kishte “lozur” në ring, duke i dominuar rundet, ndërsa Seferi e kishte dorëzuar meçin pas përfundimit të rundit të katërt.
Kjo ishte një befasi për shumëkënd, pasi ai dukej se po e menaxhonte mirë kontrollin e meçit që e kishte Fury.
Karriera e Sefer Seferit pas përballjes me Tyson Furyn
Që nga humbja nga Fury në vitin 2018, Seferi ka luftuar vetëm pesë herë.
Në fund të vitit 2018, përballja me boksierin gjerman Firat Arslan në Wurttemberg kishte përfunduar në barazim.
Fatkeqësisht për boksierin shqiptar, lufta e ardhshme kundër boksierit jug-afrikan, Kevin Lerena për t’u bërë kampion i botës në peshat gjysmë të rënda në versionin IBO në vitin 2019, nuk përfundoi siç donte ai.
Seferi u mposht në rundin e tretë me nokaut teknik.
Pas disa muajsh, më saktësisht në nëntor 2019, Seferi, i cili është vëllai i boksierit tjetër shqiptar, Nuri Seferi, u rikthye në ring dhe luftoi me Lszlo Ivanyi në Burgdoff, Zvicër, me hungarezin që u tërhoq nga lufta në rundin e pestë.
Ky ishte meçi i fundit i Seferit, aktualisht 44 vjeç, në tri vjet, shkaku i pandemisë COVID-19, por ai u rikthye me fitore në qershor 2022, duke e mposhtur boksierin Roman Kracik, përsëri në Zvicër, me një nokaut në garën për titullin vakant botëror të Universal Boxing Organisation.
Sidoqoftë, në fillim të këtij viti, Seferi u mposht nga danezi Kem Ljungquist në meçin për titullin vakant të peshave të rënda në versionin IBF International.
Seferi u ndal në kornerin e tij pas përfundimit të rundit të tretë, duke nënkuptuar që në karrierën profesioniste ai i ka 30 meçe, prej tyre 25 fitore, 4 humbje e 1 barazim.
Karriera e Tyson Furyt pas meçit me Sefer Seferin
Që kur e kishte mposhtur Seferin, Fury i ka kompletuar 9 meçe të tjera, duke i fituar 8 dhe duke barazuar në një tjetër. Fury ishte rrahur tri herë Deontay Wilderin, duke i fituar dy prej këtyre meçeve.
Krahas amerikanit, ai më pas i rrahu edhe britanikët Dillian Whyte e Derek Chisora duke e mbrojtur titullin e kampionit të botës në versionin WBC.
Së fundmi, Fury fitoi ndaj kamerunasit Francis Ngannou me vendim të gjyqtarëve, ndonëse për shumë njerëz, ish-garuesi i MMA ishte më i mirë. Përballja e ardhshme e Furyt dhe më e rëndësishmja e karrierës së tij do të jetë ajo kundër ukrainasit Oleksander Usyk. Meçi më i madh i Shekullit 21 deri tash pritet të mbahet në shkurt të vitit 2024 në Riyadh të Arabisë Saudite, ku edhe do të përcaktohet kampioni i padiskutueshëm botëror i boksit profesionist. 35 vjeçari i ka 35 meçe në karrierë, duke i regjistruar 34 fitore dhe 1 barazim.
(Kosova Sot Online )