Vazhdon ‘lufta’ në Al Ittihad: Gallardo i kërkon Benzemës të stërvitet vetëm, francezi largohet nga seanca stërvitore

  • 07 February 2024 - 15:49
Vazhdon ‘lufta’ në Al Ittihad: Gallardo i kërkon Benzemës të stërvitet vetëm, francezi largohet nga seanca stërvitore

Kur gjithçka dukej se ishte kthyer në qetësi, stuhia është shfaqur sërish në Al Ittihad me protagonist Karim Benzema, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ylli francez, i cili javët e fundit mungoi kur u kthye në ekip në një tjetër episod të rrethuar nga polemika, inskenoi marrëdhënien e tij të prishur me Marcelo Gallardo në stërvitje të hënën. Gjatë seancës të së hënës së skuadrës arabe, trajneri argjentinas urdhëroi ish-lojtarin e Real Madridit të ushtrohej i vetëm pas një pjese të parë të punës me grupin që po luan sot një miqësore.

 

Megjithatë, sipas gazetës Marca, Benzema nuk pranoi ta bënte këtë dhe u largua nga seanca.

Në fakt, sulmuesi tashmë kishte ushtruar individualisht, i imponuar nga klubi, gjatë ditëve të mungesës së tij në para-sezon në Emiratet e Bashkuara Arabe, diçka që futbollisti do t’ia kishte kujtuar trajnerit të tij, duke pretenduar se ishte i aftë të paktën të stërvitej me ata që nuk kishin luajtur ndeshjen e së dielës. 

Benzema nuk është thirrur për ndeshjen e skuadrës së tij kundër Al Tait dhe dje është parë duke u stërvitur në palestër me lojtarët e dëmtuar.

Ndërkohë, pasiguria vazhdon të rri pezull mbi Arabinë Saudite, me një nga yjet e saj më të mëdhenj të pakënaqur dhe madje në prag të largimit në afatin kalimtar të janarit. 

(Kosova Sot Online )