Sanchez mund të rinovojë kontratën me Interin
Alexis Sanchez më në fund ka filluar të gjallërohet te Interi dhe paraqitjet e tij mund t’i japin një kontratë të re në klub.
Kiliani ka filluar të dëshmojë veten si një opsion i rëndësishëm në skuadrën e Simone Inzaghit në javët e fundit, duke shënuar dhe asistuar në fitoren ndaj Genoas, si dhe duke dhënë asistime në dy fitoret e mëparshme ndaj Atalantas dhe Lecces.
Sanchez luftoi për kohën e rregullt të lojës në Serie A në gjysmën e parë të sezonit, por ai pati disa paraqitje të suksesshme në Ligën e Kampionëve, duke shënuar në ndeshjet e fazës së grupeve kundër Salzburgut dhe Benficas.
Siç raportohet nga “Calciomercato”, Interi ka marrë parasysh kontributet e rëndësishme të tij në javët e fundit dhe mund t’i ofrojë një kontratë të re në fund të sezonit.
Kontrata aktuale e 35-vjeçarit me “Nerazzurrët” deri në fund të qershorit.
Mbetet të shihet pas përfundimit të sezonit nëse Alexis Sanchez do të rinovojë kontratën apo do të largohet përfundimisht si lojtar i lirë.
(Kosova Sot Online)