Muriqi: Jemi favoritë ndaj Armenisë
Vedat Muriqi ka dalë sot në konferencë për shtyp së bashku me trajnerin Franco Foda në prag të ndeshjes me Armeninë.
“Dardanët” kanë mbërri mbrëmë në Yerevan, ku nesër nga ora 17:00 do të përballen me armenët në ndeshjen e parë miqësore për vitin 2024.
Sulmuesi kosovar shprehet optimist për një paraqitje të mirë dhe për një fitore nesër pasi konsideron se Verdhekaltrit janë favoritë ndaj armenëve.
“Jemi në prag të ndeshjes kundër Armenisë. Siç e tha edhe trajneri, jemi përgatitur shumë mirë, edhe fizikisht edhe mentalisht. Edhe pse është një ndeshje miqësore, për ne është me rëndësi ta fitojmë lojën sepse duhet të adaptohemi dhe të mësohemi me fitore”, deklaroi fillimisht Muriqi
“Për mua, normal po besoj se favoritë jemi ne. Besoj që edhe lojtarët individualisht dhe fizikisht, siç e kemi analizuar Armeninë, jemi më mirë. Por, është futboll dhe nuk i dihet. Por, ne do ta japim maksimumin tonë dhe do ta demonstrojmë edhe në fushë se ne jemi favoritë”, përfundoi sulmuesi i Mallorcës.
(Kosova Sot Online)