A synon të luajë në Premierligë? Përgjigjet Vedat Muriqi
Vedat Muriqi e ka gjetur lumturinë dhe e ka rikthyer formën solide që kur u transferua në Spanjë tek Mallorca.
Ylli kosovar vinte nga një periudhë e vështirë që e kishte kaluar në Itali me Lazion pas një eksperience tjetër spektakolare me Fenerbahçen në Turqi.
E kohëve të fundit, falë paraqitjeve të tij fenomenale me ishullorët, spekulohet se interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur klubet nga Premierliga.
Por, duket se synim i përfaqësuesit kosovar nuk është kampionati anglez pasi ai ndihet mjaft mirë në Mallorca.
29 vjeçari thotë se do të largohej vetëm nëse këtë ia kërkojnë drejtuesit e klubit spanjoll.
“Premierliga? Unë kam kontratë me Mallorcan dhe derisa po më pyesni, unë nuk kam menduar për këtë punë. Ne jemi mjaft rehat këtu dhe unë jam mjaft i lumtur. Derisa trajneri apo bordi të më thonë se nuk më duan më, nuk do të largohem prej këtu. Do të vazhdoj të jem këtu. Nëse mi japin edhe dy vjet mundësi për të luajtur këtu, atëherë perfekt”, deklaroi Muriqi për “Cadena Ser”.
Prizrenasi është futbollisti kryesor i Mallorcas në tri sezonet e fundit, ndërsa e ka ndihmuar ekipin ishullor spanjoll pa rënë nga La Liga.
(Kosova Sot Online)