Guardiola ka një shqetësim të madh para ndeshjes së kthimit ndaj Real Madridit

  • 13 April 2024 - 11:48
Guardiola  ka një shqetësim të madh para ndeshjes së kthimit ndaj Real Madridit

Pep Guardiola ka shfaqur shqetësimin e tij për gjendjen fizike të skuadrës përpara ndeshjes së kthimit kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Qytetarët” do të përballen të shtunën me Luton Town, por nuk janë në gjendje të bëjnë shumë ndryshime në formacion, për të pushuar disa prej kryesorëve.

Kjo për shkak se Man City është në garë të “ashpër” me Arsenalin dhe Liverpoolin për titullin e kampionit në Premierligë.

Mesfushori spanjoll, Rodri, kishte pranuar pas ndeshjes së parë ndaj Real Madridit se mund të bënte pushim në javët në vijim, pavarësisht mungesës së hapësirës për të në orar.

“Po pushon Rodri kundër Lutonit? Shikoni lojërat tona dhe do ta kuptoni. Është shumë e thjeshtë. Ai është shumë i rëndësishëm për shkak të cilësisë që na jep, por nëse një lojtar nuk dëshiron të luajë, ai nuk do të luajë”, tha Guardiola në një konferencë të fundit për media.

“Më duhet gjithashtu t’u jap pushim qendërmbrojtësve, por në miqësoret e Anglisë, John Stones dhe Kyle Walker u lënduan dhe nuk kanë mundur të pushojnë. Kemi një problem shumë të madh. Kam ndjesinë se kemi qenë shumë të lodhur në ndeshjet e fundit. Duhet të vendosim se çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi trajneri spanjoll. Ndeshja e dytë çerekfinale mes Manchester Cityt dhe Real Madridit do të zhvillohet më 17 prill, në “Etihad Stadium”.Kujtojmë se përballja e parë nuk dha fitues, duke u mbyllur me rezultatin 3:3.

(Kosova Sot Online )