Ancelotti e kalon Guardiolën, gjysmëfinalja e 11-të në Champions

  • 18 April 2024 - 11:00
Ancelotti e kalon Guardiolën, gjysmëfinalja e 11-të në Champions

Liga e Kampionëve është shtëpia e Real Madridit. 12 gjysmëfinale në 14 vitet e fundit.

Numra të jashtëzakonshëm edhe për faktin se kush është padron i kësaj gare, i cili e fitoi trofeun e Championsit plot 14 herë dhe tash po e kërkon të 15-in, me plot pesë trofe vetëm në decenien e fundit, transmeton "Kosova Sot Online".

Nga viti 2014, kur kupa ishte në njërën dorë të Atletico Madridit, e të cilën “Los Blancos” ia rrëmbyen në fund, e deri në vitin 2022, me dy përmbysje të papritura ndaj Paris Saint-Germainit dhe Manchester Cityt, para se ta mposhtnin Liverpoolin në finale, në më klasiken e të gjithave: vuajtje, gol në minutën e 15-të, menaxhim i rezultatit, por edhe pritje bravuroze të Courtois.

Por, Championsi është edhe shtëpi e Carlo Ancelottit.

Mbreti i kupave, trajneri i Realit, ka qenë i aftë të arrinte në 11 gjysmëfinale të kësaj gare në karrierën e tij të lavdishme.

Ai e mposhti dhe e kaloi Pep Guardiolën, i cili ndalet kështu me 10 gjysmëfinale.

Mund ta pranojmë se “Mbretërit e Spanjës” vuajtën jo pak në natën e mbrëmshme, por në fund nevojitet edhe pak fat për të arritur në thuajse çdo vit në mesin e katër më të mirëve.

Të themi fat, në rastin e Ancelottit, do të ishte limiti i limitit.

Mund t’i ndodh një herë, dy, ndoshta edhe tri herë.

Por, 11 gjysmëfinale deri tash ishin një numër astronomik për këdo që e mendon këtë.

S’duhet harruar se është veç një trajner që e ka fituar katër herë Championsin dhe “Don Carlo” mund ta ngrisë këtë rekord nëse e fiton prapë këtë garë.

Përpara do ta ketë Bayern Munichun në një ndeshje epike, një klasike e futbollit evropian.

Më pas, në Wembley, Angli, ku e kishte fituar finalen e parë me Juventusin. Më shumë se dy dekada më parë. 

(Kosova Sot Online )