Arrestohen dy futbollistët e njohur
Dy futbollistë nga Premierliga janë arrestuar nën dyshimin për përdhunim.
Dy futbollistët e paidentifikuar janë nga i njëjti klub dhe u arrestuan në fundjavë pasi rasti i dyshuar u raportua në polici, ka bërë të ditur “The Sun”.
Policia thuhet se zbarkoi në stadiumin e klubit anglez në fundjavën që lamë pas dhe fillimisht intervistoi një lojtar 19-vjeçar, i cili dyshohet për sulm, ndihmë në sulm dhe nxitje për një përdhunim.
Burimet për “The Sun” thanë se ai u lejua të largohej nga stadiumi pas një interviste të shkurtër përpara se të arrestohej zyrtarisht më pas.
Lojtari e kaloi natën në qeli dhe më vonë u mor në pyetje nga detektivët.
Shoku i tij i skuadrës, gjithashtu 19 vjeç, u arrestua të nesërmen dhe u mor në pyetje nën dyshimin për përdhunim.
Mbrëmë, policia konfirmoi se lojtarët janë liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Rasti i dyshuar për përdhunim thuhet se ka ndodhur mbrëmjen e së premtes.
Një zëdhënës i policisë për mediumin britanik tha: “Oficerët kanë arrestuar dy burra pas një raportimi për një përdhunim. Një 19-vjeçar u arrestua me dyshimin për sulm, ndihmë dhe nxitje në një përdhunim. Një 19-vjeçar i dytë u arrestua me dyshimin për përdhunim. Të dy janë liruar me kusht nga policia”.
Nuk dihet ende nëse futbollistët e akuzuar janë suspenduar nga klubi i tyre, apo ende klubi është në pritje të hetimeve të mëtejshme.
(Kosova Sot Online)