Ja kush i bashkohet garës për Mourinhon

  • A.P /
  • 05 May 2024 - 16:35
Ja kush i bashkohet garës për Mourinhon

Al-Qadsiah po kërkon të emërojë Jose Mourinhon si trajnerin e tyre të ri.

Portugezi është pa skuadër që nga janari i këtij viti, kur u shkarkua nga Roma.

Interesimi për të nuk ka munguar asnjëherë nga klubet, veçanërisht nga ato prej Arabisë Saudite.

Sipas “talkSPORT”, Mourinho tashmë kërkohet nga dy klube të tjera saudite, por Al-Qadsiah po përpiqet të sjellë trajnerin e mirënjohur në Lindjen e Mesme, pasi ky klub synon të sfidojë rivalët e tyre të kontrolluar nga PIF, si Al-Hilal, Al-Ittihad, Al-Nassr e Al-Ahli.

Al-Qadsiah nga sezoni i ardhshëm do të garojë në elitën e futbollit në Arabinë Saudite, pasi tashmë ka siguruar promovimin.

Klubi në fjalë është në pronësi të gjigantit të naftës, “Aramco”, që kryesohet nga presidenti i Newcastle United, Yasir Al-Rumayyan.

“The Special One” ishte parë kohë më parë në shoqërinë e Al-Rumayyan.

Sipas gazetarit, Ben Jacobs, deri tash nuk ka ndonjë marrëveshje të arritur, por Mourinho është zgjedhja e parë e Al-Qadsiah.

Jacobs gjithashtu zbuloi se 61-vjeçari do të shkojë në Khobar, ku luan Al-Qadsiah, në fund të majit, si pjesë e një vizite të planifikuar për të parë klubin.

Mbetet të shihet në vazhdim nëse palët do t’i afrohen një marrëveshjeje, apo Jose Mourinho do të shqyrtojë oferta tjera.

(Kosova Sot Online)