Ja kur e publikon Shqipëria listën zyrtare për Euro 2024
Të hënën e 27 majit, do të mësohet lista zyrtare e Kombëtares së Shqipërisë për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani.
Lajmin e ka bërë të ditur FSHF, ku thotë se kjo listë do të bëhet publike të hënën në orën 16:00.
Në të njëjtën orë trajneri Silvinjo do të dalë në një konferencë ku do të flasë për listën e lojtarëve, përgatitjet, dy ndeshjet miqësore dhe finalet e “EURO 2024”.
Lojtarët fillimisht do të grumbullohet në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë.
Kombëtarja ka edhe dy ndeshje miqësore në program ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”.
Më datë 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit, në kampin bazë në SportCentrum Kaiserau, në afërsi të Dortmundit.
Kombëtarja shqiptare do të debutojë në Evropian më datë 15 qershor ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” (Dortmund).
Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.
Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.
(Kosova Sot Online)